Partia që drejton Qeverinë në Shqipëri ka propozuar Bajram Begën si kandidat për president të ri të vendit. Begaj është shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare. Ka qenë vetë Edi Rama që e ka konfirmuar emrin e kandidatit për president, pas mbledhjes së kryesisë së PS-së. Rama, që është edhe kryeministër vendi, ka thënë se janë përjashtuar emrat e kandidatëve që vijnë nga Partia Socialiste.
“Bajram Bega është shëmbëlltyra e atij normaliteti dhe për të cilin ajo zyrë ka nevojë urgjente. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm është një nga kandidaturat e propozuara brenda Grupit Parlamentar të PS-së. Unë nuk kam qenë një ndër propozuesit. Ishte diskutim i hapur me shumë debat, në një frymë shumë pozitive dhe me shumë sens përgjegjësie, gjë për të cilën kemi shumë nevojë në mbledhjet tona të brendshme, më vjen mirë që një pjesë e kolegëve të kryesisë janë zhgënjyer pozitivisht”, ka thënë Rama.
Kryeministri ka treguar se në pjesën e fundit të diskutimeve, ishin 3 kandidate gra dhe 3 burra.
“Është bërë një diskutim i gjatë. Unë jam i prirë që të mbështes maksimalisht kandidaturat gra. Por nuk arritëm në pikën për të diskriminuar burrat në këtë pikë. Kemi parë tërësinë e personaliteteve që ne kemi shqyrtuar, të cilët, pavarësisht se do e marrin ose jo vesh, dua t’i falënderoj të gjithë”, ka theksuar ai. Kryeministri Edi Rama është treguar i ashpër edhe kreun e shtetit në detyrë, Ilir Meta, duke e cilësuar një kaçak dhe jo president. Ndërsa, propozimin për Begajn e ka krahasuar me atë të Alfred Moisiut, që kishte karrierë ushtarake dhe ishte zgjedhur president.
“Kur u zgjodh Moisiu, shumë buzë u rrudhën, ironi u bënë, por Alfred Moisiu tregoi se si është një president i Republikës. Kini besim se nëse i besojmë përfaqësuesve të lartë forcave të armatosura, civile të jetës qytetare, ata nuk zhgënjejnë”, ka arsyetuar Rama.
Gjeneralmajor Bajram Begaj ka lindur më 20 mars 1967, në Rrogozhinë. Në vitin 1989 ka përfunduar studimet pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin “Mjekësi” në vitin 1998. Përpara se të merrte detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Begaj, për një periudhë trevjeçare, ka shërbyer në detyrën e komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes. Gjatë karrierës së tij ushtarake ka shërbyer në pozicione të ndryshme drejtuese në Forcat e Armatosura, si: zëvendësdrejtor i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”; drejtor i përgjithshëm i Spitalit Ushtarak Qendror Universitar; drejtor i Inspektoratit Shëndetësor, kryeinspektor dhe këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm të FA-së; shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake dhe zëvendësdrejtor i Spitalit Universitar të Traumës.
Begaj ka ndjekur kualifikime dhe specializime të ndryshme në fushën ushtarake dhe atë mjekësore, në institucionet arsimore brenda dhe jashtë vendit. Ai ka përfunduar kursin e lartë për sigurinë dhe mbrojtjen pranë Akademisë së Forcave të Armatosura, Shkollën e Thelluar Pasuniversitare të Mjekësisë dhe specializimin pasuniversitar në profilin gastrohepatologji, pranë Fakultetit të Mjekësisë, Tiranë. Gjithashtu ka ndjekur kursin e menaxhimit spitalor dhe kursin e lidershipit mjekësor strategjik, në SHBA, kursin e lartë ndërkombëtar të menaxhimit të mbrojtjes, pranë Institutit të Menaxhimit të Burimeve të Mbrojtjes në Shkollën Pasuniversitare të Marinës në SHBA, seminarin e lartë ekzekutiv pranë Qendrës Marshall, Gjermani, si dhe kurse e kualifikime të tjera ushtarake.
Gjeneralmajor Bajram Begaj ka përfunduar “Doktoratën në Fushën e Mjekësisë”, pranë Fakultetit të Mjekësisë, si dhe mban titullin “Profesor i asociuar” në Mjekësi.
