Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se nuk e ka ndërmend t’i dorëzojë anëtarët e Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK) të cilët strehohen në një kamp në Manzë të Durrësit.
Rama të shtunën ishte pjesë e një aktiviteti të organizuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të nderuar ndihmën që Shqipëria i dha hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Kryeministri shqiptar mes të tjerash foli edhe në lidhje me sulmet kibernetike të Iranit në vitin 2022, që erdhën si pasojë e strehimit të grupit të MEK-ut në Shqipëri.
Ai u shpreh i prerë që muxhahedinët nuk do t’i dorëzojë te Teherani, por porositi anëtarët e MEK-ut të mos bëjnë politikë duke përdorur Shqipërinë si platformë.
“I dhamë strehë mijëra iranianëve kur në vendin e tyre i rrezikohet jeta nga Teherani. Paguam çmimin sepse regjimi i Teheranit na sulmoi në rrugë kibernetike duke u përpjekur të fshijë të gjithë të dhënat e sistemeve tona të shërbimeve. U detyruam të përgjigjeshim duke ndërprerë marrëdhëniet diplomatike dhe përzënë trupën diplomatike. Por e përsëris që iranianët janë në besën tonë. Teherani duhet të kuptojë që kurrsesi nuk do të dorëzojmë asnjë nga ata, por edhe ata (muxhahedinët) duhet ta dinë që nuk mund të bëjnë politikë duke përdorur Shqipërinë si platformë”, ka thënë Rama.
Rreth 3 mijë pjesëtarë të MEK-ut u dislokuan në Shqipëri në vitin 2013, me kërkesë të SHBA-së dhe Kombeve të Bashkuara.
Pjesëtarët e grupit MEK e konsiderojnë veten disidentë në mërgim dhe alternativë ndaj regjimit klerik të Iranit.
Për kohë të gjatë, MEK-u ishte në listat e organizatave terroriste të SHBA-së dhe vendeve të tjera.
SHBA-ja e hoqi nga kjo listë në vitin 2013, për t’i ofruar mbështetje në luftën kundër regjimit islamik të Iranit.