Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shkruar për vdekjen e shkrimtarit Ismail Kadare, duke e quajtur atë monument më të madh të kulturës shqiptare.
Rama ka shpërndarë një shkrim të publikuar me rastin e ditëlindjes së Kadaresë, me të cilin e ka falënderuar për kontributin e tij në gjuhën shqipe.
“Me këtë mendim po e le këtë shënim (që të njëjtin fat me ato kështjella do të ketë) me një falënderim të thjeshtë, pa pretenduar asgjë më shumë se sa shprehjen e mirënjohjes së madhe ndaj Ismailit për monumentin fantastik që i ka ngritur gjuhës shqipe, duke ma bërë edhe më të madhe dashurinë për këtë gjuhë të hatashme, të cilën ne shqiptarët kemi fatin të flasim e të shkruajmë si gjuhë amtare; për kënaqësinë e jashtëzakonshme të udhëtimeve në botën e ngjarjeve, personazheve, emocioneve që ai ka jetësuar me lehtësinë e një magjistari, nxjerrë në dritë fuqinë e një ekzorcisti dhe magazinuar me saktësinë e një gjirokastriti; për hidhërimet që u ka shkaktuar mediokërve e për buzëplasjen që u ka provokuar xhelozëve me suksesin e tij jehues në dhjetëra gjuhë të kësaj bote, e patjetër edhe për debatin e pambarimtë mes barrikadave, ku janë rreshtuar përballë tash 30 vjet, admiruesit e shkrimtarit dhe gjykatësit e qytetarit a thjesht njeriut Ismail Kadare - ku unë vetë kam mësuar e kuptuar jo pak me kalimin e viteve... Ah, krejt personale kjo, po edhe për Vladimir Majakovskin, gjeniun vullkanik të poezisë ruse, që po të mos ekzistonte Ismail Kadareja nuk do ta kisha njohur kurrën e kurrës dot, në një prej takimeve më të mahnitshme të jetës sime me letërsinë”, ka shkruar Rama.
