Arbëri

Rama e quan Çekun mashtrues: E ftoj në debat publik

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama 9 janar 2025

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama

Foto: Driton Paçarada

Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, e ka ftuar publikisht ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku në debat të hapur publik mbi “përplasjet” midis dy institucioneve për projektet e komunës në kryeqytet, të cilat nuk kanë marrë lejen nga institucionet kompetente. 

Ai e ka akuzuar Çekun për mashtrim dhe propagandë, duke thënë se me anë të tyre po e justifikon bllokimin e projekteve, siç i ka quajtur ai, transformuese në Prishtinë. 

“Sot, Ministri i Kulturës ka zgjedhur sërish rrugën e mashtrimit dhe propagandës, duke vazhduar me të pavërtetat e radhës për të justifikuar bllokimin e kundërligjshëm dhe sistematik të çdo projekti transformues në Kryeqytet! E ftoj publikisht Ministrin e Kulturës, bashkë me ekspertët e tij, në një debat të hapur publik”, ka shkruar ai në Facebook. 

Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka pretenduar të mërkurën se Komuna e Prishtinës qëllimisht po lidh kontrata të kundërligjshme.

Këtu ka përmendur punimet në sheshin “Xhorxh Bush”, rrugën “Rexhep Luci”, “Ishullin Urban” dhe projektin në rrugën “Agim Ramadani”.

“Të gjitha këto kontrata janë të lidhura kundërligjshëm, duke mos i respektuar procedurat e nevojshme për pajisje me leje dhe pëlqime të nevojshme. Të gjitha këto investime realizohen brenda zonave të mbrojtura të trashëgimisë kulturore dhe ligji kërkon që para se të shpallen procedurat e të lidhen kontratat, duhet të pajisen me pëlqime përkatëse nga autoritetet përkatëse”, ka thënë ai në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë.