Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka thënë se është shtyrë me forcë dhe është ofenduar nga kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, në mbledhjen e Kuvendit të Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK).
Ai ka deklaruar se kryetarët e komunave që qeverisen nga Lëvizja Vetëvendosje po kërkojnë që komunat veriore të anëtarësohen në AKK, por kjo sipas tij po refuzohet nga kryetarë të tjerë të komunave.
Rahimaj ka shtuar se komunat veriore “po synohet të lihen jashtë dhe të anëtarësohen në një të ardhme me një organizatë të ardhshme siç mund të jetë ‘Zajednica’”.
“Na u mohua e drejta e fjalës nga kryetari i Kuvendit të Asociacionit, z.Aliu, që luan rolin e një kukulle sepse gjatë tërë diskutimit na u mohua e drejta e fjalës. Nga prapa erdhi kryetari Lladrovci që edhe më herët me pëshpërima fyente me fjalët më të ulëta që mund dikush t’i dëgjojë në rrugë. E, me forcë fizike më ka shtyrë duke tentuar të zbrazë edhe diskutimin”, ka deklaruar kreu i Kamenicës në emisionin "60 Minuta" të KTV-së.
Ai ka shtuar tutje se rastin ende s’e ka paraqitur në Polici, por që këtë do ta bëjë pasi tha se ka argumente ku dëgjohet Lladrovci duke ofenduar.
“Kemi video duke kapur kamerën e telefonit të njërit prej anëtarëve të Kuvendit, duke ia mohuar të drejtën e pasqyrimit të drejtë”, ka shtuar ai.
Pretendimet e Rahimajt i ka mohuar Lladrovci, duke thënë se s’e ka sulmuar atë, por “ka kërkuar të largohet”.
Lladrovci ka shtuar se incidenti i sotëm është tendencë për largimin e vëmendjes nga zhvillimet e fundit.