Arbëri

Radoniqi: Zbatimi i Ligjit të ri në zgjedhjet e ardhshme do të jetë sfidues

Kreshnik Radoniqi

Foto: EO

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, softuerin i cili do t’i digjitalizojë disa nga operacionet zgjedhore. 

Ky softuer do t’ua mundësojë votuesve në çdo kohë, ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës. Po ashtu, përmes tij, votuesit me nevoja të veçanta do të mund të regjistrohen nga shtëpia dhe në ditën e zgjedhjeve. 

KQZ-ja do ta dërgojë ekipin mobil për t’ua mundësuar pjesëmarrjen në zgjedhje. Ndërsa, për votuesit jashtë vendit, platforma elektronike do ta mundësojë aplikimin për regjistrimin e tyre. 

Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka theksuar se pranimi i këtij softueri shpreh edhe më tutje përkushtimin e këtij institucioni për avancimin e procesit zgjedhor. 

Sipas Radoniqit, ligji i ri për zgjedhjet e përgjithshme ka bërë shumë ndryshime në procesin zgjedhor brenda dhe jashtë vendit dhe zbatimi i tij do të jetë sfidues.

"Me Ligjin e ri për Zgjedhjet e Përgjithshme, procesi zgjedhor si brenda, por edhe jashtë vendit, ka pësuar ndryshime thelbësore dhe sigurisht se zbatimi i tij do të jetë sfidues në Zgjedhjet e datës 9 shkurt 2025, por shprehë gatishmërinë e KQZ-së për të përmbushur detyrat që dalin para nesh. Besoj se përvoja ndër vite e KQZ-së dhe suksesi në të kaluarën, do të jenë një motiv i lartë për të gjithë ne që me sukses të realizojmë misionin tonë për organizim të zgjedhjeve me standarde të larta ndërkombëtare, duke siguruar shprehjen e vullnetit të lirë të qytetarëve me të drejtë vote të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Radoniqi, raporton EO.

E Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, tha se zgjedhjet e lira janë themeli i demokracisë dhe se ky softuer do të jetë një arsye më shumë që votuesit të besojnë në procesin demokratik.

“Kemi punuar pa lodhje për këtë softuer vitin e kaluar, që ky softuer t’i përmbushë kërkesat komplekse. Ky softuer është një hap përpara për efikasitetin, transparencën dhe integritetin e procesit zgjedhor. Koha është esenciale sepse softueri vjen pikërisht para kohës së zgjedhjeve. Zgjedhjet e lira janë themeli i demokracisë. Me këtë softuer po i japim votuesve një arsye që të besojnë në procesin demokratik”, ka thënë Davenport.