Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, në mbledhjen e mbajtur të premten ka theksuar se nuk kanë informata zyrtare për atë se çka ka ndodhur me një pjesë të votave të mërgatës në Zagreb.
“Zyrtarisht ende nuk dimë asgjë. Kemi dëgjuar edhe prej mediave, ka edhe fjalë nga KQZ-ja, por zyrtarisht nuk e dimë ende se çfarë ka ndodhur. Kjo mbetet të vërtetohet në fazat e mëtejshme”, është shprehur Radoniçi.
Ndërsa, anëtari i KQZ-së nga radhët e LVV-së, Alban Krasniqi, këtë informacion e quajti të pavërtetë dhe akuzoi mediat se e kanë nxjerrë informacionin nga konteksti.
“Le t’i tregohet publikut se ato 10-20 zarfe sa kanë mundur me qenë janë tërhequr për shkak të presionit të postës që e ka pasur për t’i tërheqë. E janë tërhequr prej ekipeve të autorizuara. Le t’i tregohet publikut se ndoshta në kohën kur janë bërë këto tërheqje, në periudha të ndryshme, nga 2-3 zarfe, nuk kemi pasur as vëzhgues e nuk kemi pasur ndoshta as procedura, as komunikim të vazhdueshëm”, ka deklaruar Krasniqi.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar të enjten se ka nisur hetime pas raportimeve se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është përfshirë në procedurën e transportimit të votave.