Radoica Radomiroviq, zëvendësministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, ka thënë se qytetarët serbë në Kosovë më nuk duan që jeta e tyre të udhëhiqet nga Milan Radoiçiq dhe Lista Serbe.
Radomiroviq duke folur për “Radar” të mediumit serb “Danas” ka thënë se dëshmi për këtë është edhe thirrja e Listës Serbe për bojkotim të votimit për shkarkimin e kryetarëve në veri. Ai ka thënë se Lista Serbe e ka kuptuar se qytetarët s'po i përgjigjen thirrjeve të saj më.
Ndonëse Lista Serbe vazhdon kërcënimet, ndikimi i saj ka rënë dukshëm.
Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Radoiçiq, pranoi se ishte prapa sulmit terrorist në Banjskë ku u vra rreshteri policor, Afrim Bunjaku. Radoiçiq është në listën e të sanksionuarve nga SHBA-ja e Britania e Madhe dhe po kërkohet nga Interpoli.
“Njerëzit nuk duan që jeta e tyre të udhëhiqet nga Milan Radoiçiq e nga Lista Serbe, dhe kjo shihet nga ngurrimi i atyre që të pajtohen për referendumin për shkarkimin e kryetarëve të komunave. S’po duan referendum, sepse e dinë se askush s’do t’i përgjigjet thirrjeve dhe kërcënimeve të Listës Serbe. Qytetarët e kuptuan se motivi i tyre është vetëm grabitja. Sipas hulumtimeve të kryera, që nga viti 2012 afro 900 milionë euro të taksapaguesve serbë janë përvetësuar përmes një duzine kompanish që janë themeluar për këtë qëllim dhe janë të gjitha nën kontrollin e Radoiçiqit. Në veri të Kosovës, Radoiçiq u soll si pronar i popullit dhe negocioi me Qeverinë e Kosovës në këtë mënyrë: ‘Dëshironi regjistrim të popullsisë, kjo është mirë, ja ku janë kushtet e mia’. Por, Qeveria nuk pranoi në diskutime të tilla dhe në asnjë lloj kontakti me të. Ka kaluar ajo kohë”, ka theksuar Radomiroviq.
Radomiroviq ka shtuar se ka pasur kritika për praninë e njësiteve speciale të Policisë së Kosovës në veri, por ka potencuar tutje se po heshtet një fakt i rëndësishëm.
“Nëse do të tërhiqeshin, ato banda që bredhin këtu dhe rrahin e ngacmojnë qytetarët tanë do të ktheheshim sërish. Askush s’do ta lejojë më këtë. I keni parë në Banjskë. Ne i kemi parë në dhjetor të vitit 2022 me ato uniforma, ato me sa e di unë janë disa uniforma më të vjetra të xhandarmërisë”, ka thënë Radomiroviq.
Radomiroviq është shprehur se nuk beson se Radoiçiq do të ndiqet penalisht për sulmin terrorist në Banjskë.
“Mendoj se Vuçiq sigurisht nuk do ta dorëzojë. Edhe Millosheviqi, në kohën e tij, nuk do të kishte mbetur në pushtet nëse do të ekstradonte Karaxhiqin apo Mlladiqin në Hagë. Është e thjeshtë, ata janë pjesë e qeverisë. Vetëm pas ndryshimit të regjimit, do të ndiqen penalisht bandat për të cilat po flasim. Njerëzit e Brigadës së Veriut kanë marrë donacion nga 50 milionë dinarë për projekte nga të cilat nuk ka asnjë gjurmë. Të gjitha ato para i kthehen Radoiçiqit. Nëse merr një donacion 20 mijë euro, 15 mijë duhet t’i kthehen Radoiçiqit dhe 5 mijë mund t’i shpenzosh sipas dëshirës. Por, sigurisht që nuk përmendet fare projekti”, ka shtuar Radomiroviq.
“Radar” në shkrimin e publikuar ka treguar se sa po i kushton Radoiçiqi Serbisë.
Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike, ka thënë se këmbëngulja e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, që të dorëzohet Radoiçiqi, nuk bën të injorohet.
“Shpresoj se nuk do të jetë e nevojshme të kemi Banjskë 2, për të cilën tashmë flitet në Kosovë, por edhe në mediat perëndimore. Ka mënyra shumë më të mira për këtë. Sipas informatave të mia, Vuçiqi ka dhënë një afat për ta filluar çështjen lidhur me Banjskën më së voni deri në maj. Unë jam i prirë të besoj se do të jetë kështu, por mund ta marrin me mend se sa do të zgjasë procesi gjyqësor”, ka thënë Janjiq.
E Momir Stojanoviq, një gjeneral në pension, dhe ish anëtar i Asamblesë Kombëtare të Serbisë është pyetur nëse Beogradi i ka ditur planet për sulmin në Banjskë.
“Nëse nuk e ka ditur se çfarë bënte Radoiçiq, atëherë pse s’po ndiqet tash, duke pasur parasysh dëmin që ia ka shkaktuar? Natyrisht nuk munden. Radoiçiq është anëtar i një rrethi të ngushtë në thelbin e pushtetit, ndaj të cilit Vuçiq nuk mund dhe nuk duhet të drejtojë asnjë sanksion, edhe nëse e gjithë Serbia dështon. Ai është në nivelin e Sinisha Malit dhe Nikola Petroviqit dhe si i tillë i paprekshëm”, ka thënë Stojanoviq, i cili është akuzuar për krime lufte në Kosovë. Ai ishte pjesë e partisë SNS të Aleksandar Vuçiqit, por tash është i pavarur.