Arbëri

Qyteti i muraleve pa kryemuralin e tij

Gjithçka do të niste më 2004, kur artistet e reja, të udhëhequra prej Lebibe Topallit, do t’i përlyenin duart për t’i zbukuruar ndërtesat e vjetra të qytetit më të ri të Kosovës. Ato tashmë kishin frymëzimin në qendër të qytetit, “Kamarierin” në ballin e hotelit “Lybeten”, por që herë pas here po mbulohet për hesape biznesi e politike. Megjithatë, artistet ia kanë dalë që t’u japin jetë mureve të objekteve të Ferizajt, qytetit të dominuar nga betoni

Në qytetin e dominuar nga ndërtimet e larta, dhjetëra artiste të reja çdo vit po ua shtojnë ngjyrat e jetës mureve të betonta. Tashmë pothuajse në çdo pjesë të qytetit të Ferizajt syri rrok murale motivesh të ndryshme, të cilat, pos vlerave artistike, përçojnë edhe mesazhe të motivuara nga tematika të ndryshme historike e aktuale.

“Kamarieri” si frymëzim

Gjithçka kishte filluar më 2004, kur artistet e reja, të udhëhequra prej Lebibe Topallit, do t’i përlyenin duart për t’i zbukuruar ndërtesat e vjetra të qytetit më të ri të Kosovës. Ato tashmë kishin frymëzimin në qendër të qytetit. Në ballin e hotelit “Lybeten” ndodhet “Kamarieri”, i realizuar në vitin 1967 nga Anton Gjoni, thotë Lebibe Topalli, drejtoreshë e Mural Festit”.

“Pra, murali i parë është në Ferizaj dhe mund të them se për ne si artiste të reja ishte si pikë referimi që të vazhdojmë tutje me murale”, thekson Topalli.

“Inspirimi për me vazhdu punën me murale ka qenë murali i ‘Kamarierit’”, thekson Pranvera Sylejmani, bashkëthemeluese e “Mural Festit”.

Me kalimin e viteve dhe me ngritjen e numrit të muraleve, do të shtoheshin edhe ambiciet e artisteve të grumbulluara rreth shoqatës së artistëve ferizajas “Zef Kolombi”. Më 2016, organizimi do të merrte trajtë më serioze, duke nisur me edicionin e parë të atij që do të njihej si Mural Fest.

Vëmendja e fansave të këngëtares shqiptare në Britani të Madhe u kthye kah Kosova kur pesë artistet ferizajase ia dolën që për dy ditë të finalizonin muralin e Rita Orës.

E paraqitën si simbol të shqiptares së suksesshme dhe bukurisë femërore shqiptare, që nderon punën dhe veshjen tradicionale.

Vetë këngëtarja e njohur ka mbetur pa fjalë për veprën dedikuar asaj, në të cilën paraqitet me veshje që thurin elemente tradicionale shqiptare.

“Edhe unë nuk e kam ditur se ka marrë kaq shumë vëmendje sepse ishim zënë me punët e fundit të muralit dhe pas një kohe kur e kam hapur telefonin, e kam parë se ishte bërë goxha bujë e madhe”, thekson Topalli. “Dhe të gjitha mediat kishin shkruar dhe fokusi ka qenë shumë i madh”.

Arti i kujtesës kolektive

Temat e edicioneve të përvitshme vazhdimisht kanë pasqyruar sprovat me të cilat përballet shoqëria jonë. Sivjet, me këtë mural janë kujtuar sakrificat e të gjithë refugjatëve të luftës së fundit në Kosovë. Janë nderuar veçmas sakrificat e grave e fëmijëve të ndarë nga forcat serbe prej burrave e baballarëve. Murali është frymëzim nga fotografia e shkrepur më 1999 nga fotoreporteri ferizajas i luftës, Hazir Reka.

“Këtë vit është realizuar ky mural në kuadër të edicionit të sivjetmë ‘Shtëpia’ dhe po vazhdon ende”, thekson Sylejmani. Murali për refugjatët është realizuar nga artisti Slim. “Këtë fotografi e kemi realizuar meqë është monumentale dhe historike, atëherë me qenë si rikujtim dhe ta mësojnë historinë gjeneratat e reja”.

Në fakt, edicioni i sivjetmë qëllimshëm ishte titulluar “Shtëpia ime”, aty ku gëzimi i kthimit, sikur vlerësohet në broshurën e festivalit, mposht frikën e ikjes.

Edicioni iu kushtua sfidave që i kanë përcjellë qytetarët e Kosovës që nga eksodi '99, rikthimin e tyre në Kosovë si dhe vështirësitë që kanë pasur në rindërtimin e shtetit. Nëpërmjet muraleve bëhet ndërlidhja mes së kaluarës, së ardhmes dhe kontribuimit të të rinjve në zhvillimin e shtetit, duke theksuar rëndësinë e historisë dhe rrugëtimin që Kosova ka pasur si përcaktues i së ardhmes së tyre.

Topalli thotë se tematika e sivjetme e festivalit ua ka imponuar që të jenë më të kujdesshëm gjatë përzgjedhjes së artistëve që kanë dokumentuar artistikisht histori e mesazhe nga lufta e fundit. “Pra, nga viti në vit, nga tema, pra bëhet edhe përzgjedhja e artistëve.

Pranvera Sylejmani, bijë e dëshmorit Gursel Sylejmanit, e ndien më fort punën artistike që lidhet me luftën e fundit.

”Ne duam me tregu që sakrifica dhe kontributi që ka dhënë gruaja shqiptare kanë qenë jashtëzakonisht të mëdha”, thekson ajo para muralit dedikuar refugjatëve.

Mbulimi i “Kamarierit”

Ndikimi i trashëgimisë së luftës ia ka zënë pamjen muralit të parë të Ferizajt, që besohet se është edhe i pari në Kosovë. Nuk është hera e parë që qyteti i njohur për kamerierin e famshëm të ish-hotel “Lybotenit” mbetet pa kryemuralin e tij. Është mbuluar me portretet ushtarake të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryekuvendarit Kadri Veseli, të cilët po gjykohen në Gjykatën Speciale në Hagë. Sipër kokave të tyre e poshtë emblemës së UÇK-së, në zemër të shqiponjës dykrenore, shkruan: “HERONJ TË LUFTËS DHE TË PAQES”.

Image

Topalli thotë në sheshin “Dëshmorët e Kombit” se u është kërkuar autoriteteve që ta shpalosin “Kamarierin”, sepse artistët ndërkombëtarë me të mbërritur në Ferizaj në edicione të “Mural Festit” pyesin për muralin e parë.

“Kureshtja e parë e tyre është ‘ku është edhe zanafilla e ‘Mural Festit’, por institucionet na kanë thënë se është përkohësisht dhe se do të zhvendoset”, thekson Topalli.

Autoritetet komunale vazhdimisht fshihen prapa interpretimeve të ndryshme ligjore dhe privatizimit të hotelit më të njohur të qytetit, që themelet iu vunë në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, pas ndërtimit të hekurudhës. Jo fort larg saj e krejt afër ndërtesës së sotme të komunës ndodhej ai që do të njihej si Hani i Ferizit, e prej të cilit e mori emrin edhe vetë Ferizaj. Edhe aty tani ka një mural.

“Artivistat”

Historia vazhdon të mos i ndahet festivalit. Pos që po mësojnë të kaluarën nëpërmjet artit, artistet e reja po përfitojnë edhe prej përvojës së artisteve që ia dhanë këmbët festivalit.

“Ne si artistë të rinj, ky edhe është qëllimi ynë, me qenë ‘in’ me rrjedhat dhe me shoqërinë tonë, dhe pikërisht këtë na e ka ofruar ‘Mural Festi’”, thekson Antika Veseli, artiste e re.

Grupi i të artistëve të rinj “Artivistat” vazhdimisht është angazhuar në aktivitete nëpërmjet festivalit, duke përfituar prej artistëve vendorë e ndërkombëtarë.

Eni ka pasion artin, veçanërisht grafitet. Grafitin e parë e ka punuar si 18-vjeçar dhe përgjatë viteve ka realizuar murale të ndryshme, porse ky është i pari i përmasave më të mëdha.

Punëtoritë e puna e artistëve ndërkombëtarë janë një tjetër mundësi për artistet e reja. Themelueset prej fillimit kishin ngulmuar që Mural Festi të merrte karakter ndërkombëtar, duke sjellë artistë të ndryshëm.

Për Emilio Cerezon, karriget paraqesin shenja të situatave e njerëzve të ndryshëm. Ai e sheh karrigen si mjet që shërben për dialog të shtresave të ndryshme shoqërore. Ka lidhur edhe ngjyrat me mjedisin rreth e rrotull. Ani pse në shikim të parë vepra duhet abstrakte, detajet vizualizojnë rrethana konkrete.

Mesazhi i artit të mbeturinave

Artisti tjetër i huaj, Michael Beitz, me mjeshtri të rrallë ka funksionalizuar mbeturinat metalike të Elez Krasniqit, duke i kthyer në vepër artistike. Në faqen e “Mural Festit” në Facebook është postuar dokumentari “Ricikluesi”, që pasqyron punën e dy burrave që ushtrojnë veprimtari krejt të ndryshme. Ruajtja e mjedisit është e përbashkëta e të dyve.

“Natyrisht se në fillim kemi qenë organizatë e re dhe nuk të kanë njohur, por fatmirësisht tani, të mos themi çdo ditë, por çdo muaj shkruajnë artistë të njohur që dëshirojnë të jenë pjesë e festivalit”, thotë Topalli.

Vjet, në prag të festave të fundvitit, artistët e rinj ndërmorën nismën që përmes pikturimit çantat t’i shndërrojnë në punime kreative për shitje, fondet e të cilave iu dhuruan Qendrës Down Syndrome në Ferizaj.

“Artivistat”, siç quhet grupi i të rinjve që jetësuan nismën këtë nismë, punuan 31 çanta. “Blej dhe dhuro” pikturoi veprat më të famshme të artit pamor, siç janë ato nga Gustav Klimt, Van Gogh, Frida Kahlo e të tjera, por edhe vepra nga piktorë të famshëm shqiptarë si Ibrahim Kodra, por edhe simbole të qytetërimit tonë si “Hyjnesha në fron” e “Hyjnesha e Varoshit”.

Image

Festivali është zgjeruar me kalimin e edicioneve dhe artistet u kanë dhënë dorë edhe shumë balleve të ndërtesave në qytete të tjera, si në Gjakovë e Kamenicë.

Në edicionin e vitit të kaluar, titulluar “Ndryshimi”, është vërejtur ndikimi i pandemisë në organizimin dhe në motivin e veprave artistike. Festivali përfshiu një program multidisiplinar artistiko-kulturor, me një sërë projektesh dhe ngjarjesh – si murale, ekspozita, vizita dhe punëtori.

Topalli, Sylejmani dhe disa artiste të tjera në kulmin e pandemisë sfiduan veten me muralin që paraqet sfidat e nxënësve gjatë mësimit online në kohën e koronavirusit.

“Ndryshimi” i “Bashkimit të qytetit”

Betoni i nënkalimit të njohur si “Bashkimi i qytetit” është kthyer në mundësi për artistet në edicionin e kaluar të titulluar “Ndryshimi”. Murali për njomaken që i mungon shkolla rroku vëmendjen më të madhe. “I miss school”, shkruan sipër shkollës e diellit të vizatuar në faqen e filloristes.

“Janë disa hapësira ku ka qasje dhe ka dritë, ku nuk pengohen as ngasësit e makinave, që janë shfrytëzuar për murale”, thotë Sylejmani pranë nënkalimit.

“Charlie Chaplini” pa kinema

Ka pasur disa zëra në Ferizaj që kritikojnë vazhdimisht qasjen e “Mural Festit”, që tashmë nuk e ka muralin e parë, por derisa kritikët nuk kanë pranuar të flasin publikisht, Topalli ka përgjigjen e saj.

“Mirë është edhe me pasë kritika sepse shihet se ka diskutim dhe vëmendje”, ka thënë Topalli, duke shtuar se ngjyrat e disa muraleve edhe ashtu nuk i kanë rezistuar kohës.

Murali me figurën e Charlie Chpalinit në trafon elektrike është prej të parëve me të cilin krenohet Topalli, por edhe rrezikon të rrafshohet. Ndodhet pranë ndërtesës shumëkatëshe, pronarët e së cilës kurrë nuk e jetësuan detyrimin gjatë privatizimit për t’ia kthyer qytetit kinemanë mu aty ku e rrafshuan të vjetrën.

“Sa kam informata, së shpejti do të rrënohet dhe do të ndryshohet, por të shohim, nëse bëhet një trafo tjetër, ne prapë do ta punojmë”, thotë.

Antika Veseli, njëra prej artisteve më të reja të Mural Festit, thotë se, megjithatë, muralet u kanë dhënë jetë hapësirave të betonuara publike të Ferizajt.

“Është me të vërtetë kënaqësi duke e ditur se edhe është vendi ynë dhe po lëmë gjurmë në vendin tonë dhe pas një kohe kemi me u kthy që ta shohim se çka kemi kriju”, thekson Antika Veseli. “Reagimi i qytetarëve është shumë i bukur, edhe ndihma e tyre, edhe kurreshtja çka kemi punu dhe pse jemi duke punu, është diçka shumë e bukur”, thekson Veseli.

Por, qyteti i muraleve vazhdon ta ketë të mbuluar kryemuralin e tij.