Funksionalizim të linjave ekzistuese hekurudhore dhe ndërtim të të rejave ka premtuar kandidati për kryeministër i PDK-së, Bedri Hamza. Ai i listoi përparësitë e transportit hekurudhor teksa e bëri zotimin se do ta ndërtojë edhe hekurudhën e Kombit, e cila do ta lidhë Kosovën me vendet e rajonit
Kandidati për kryeministër i PDK-së, Bedri Hamza, u premtoi qytetarëve të Kamenicës lidhje në autostradën e Gjilanit, punimet e së cilës u zotua që t’i përfundojnë gjatë qeverisjes së tij.
Krahas autostradës, Hamza në Kamenicë e premtoi edhe ndërtimin e një zone ekonomike te Dheu i Bardhë.
“Autostrada për Gjilan do të përfundohet, jo në Gjilan, por te Dheu i Bardhë, lidhja me korridoret ndërkombëtare. Kamenica do të lidhet me autostradën, do të ndërtohet zona e lirë ekonomike te Dheu i Bardhë me qëllim strategjik që t’i lidhë dhe t’i punësojë njerëzit edhe nga Kamenica, edhe nga Gjilani, por edhe nga Lugina e Preshevës që njerëzit të jenë në vende të punës, por të qëndrojnë në vende të tyre”, ka thënë Hamza.
Para të pranishmëve në tubim ai e përsëriti premtimin për rritje të pensioneve.
“Do t’i rrisim edhe pensionet kontributdhënëse, edhe pagesat për familjet me asistencë sociale, pensionet e parakohshme të Trepçës, TMK-së, FSK-së, të gjithë atyre që realizojnë pagesa përmes buxhetit të Kosovës”, ka thënë Hamza.
Kandidati për kryeministër i PDK-së ka premtuar investime edhe në transportin hekurudhor. Me synimin për uljen e shpenzimeve për qytetarët, reduktimit të nivelit të ndotjes dhe të mbrojtjes së mjedisit, Hamza u zotua që krahas funksionalizimit të linjave ekzistuese, do të ndërtojë edhe disa të reja.
“Do ta funksionalizojmë linjën hekurudhore Klinë-Prizren. Do ta elektrifikojmë rrjetin në krejt Kosovën, duke rritur shpejtësinë minimale deri në 120 kilometra në orë. Edhe nga Prishtina deri në Aeroportin ‘Adem Jashari’ do ta ndërtojmë një linjë të re hekurudhore. Me hekurudha moderne, çdo qytetar do të udhëtoj më shpejt, më lirë dhe më sigurt”, ka thënë kandidati për kryeministër nga PDK.
Hekurudhë moderne, ai premtoi se do të ndërtojë edhe për ta lidhur Kosovën me Shqipërinë dhe me vendet e tjera të rajonit.
“Do ta përfundojmë projektin e modernizimit të linjës hekurudhore 10, që lidhë Hanin e Elezit me Leshakun. Do ta ndërtojmë edhe hekurudhën e kombit. Kjo linjë hekurudhore moderne që forcon lidhjen mes shqiptarëve duhet të vazhdojë më pas edhe drejt Malit të Zi”, ka thënë Hamza.
Me video-adresimi u është drejtuar qytetarëve edhe lideri i PDK, Memli Krasniqi, që e falënderoi elektoratin për mbështetjen e deritanishme dhe i kërkoi ta vazhdojë përkrahjen edhe për dy javë të ardhshme.
“Mobilizimi juaj është inspirues dhe tregon se sa shumë besoni në vizionin tonë të përbashkët për një Kosovë më të mirë. Ju, me dashurinë dhe përkushtimin tuaj e keni rikthyer frymën e vërtetë të PDK-së. Partinë që e njohim të gjithë, të madhe, të bashkuar dhe të mobilizuar për fitore. Prandaj sot ju bëj thirrje të vazhdoni me të njëjtin pasion e ritëm. Ky është momenti ynë. Kjo është koha jonë”, ka thënë Krasniqi.
Në Facebook, Krasniqi shpërndau fotografi nga takimi me disa qytetarë të lagjes Kolovica në Prishtinë. E pasdite, PDK-ja mbajti tubim elektoral me qytetarët e Kamenicës.
Programi zgjedhor i Partisë Demokratike të Kosovës përmban pesë qëllime kyçe: zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, arsim për të ardhmen, sistem shëndetësor me pacientin në qendër, një Kosovë të sigurt dhe të integruar. Një nga synimet e PDK-së është krijimi i vendeve të reja të punës dhe sigurimi i stabilitetit energjetik.
Për nënat dhe qiftet e reja që nuk kanë mundësi t’i regjistrojnë fëmijët në çerdhe publike, PDK ka premtuar subvencionim për çdo muaj me nga 100 euro për t’i regjistruar ata në institucione private. E për studentë është premtuar themelimi i Fondit shtetëror të bursave dhe ndarja e 25 milionë euro në vit për këtë qëllim. Pothuajse në çdo tubim elektoral, kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka përsëritur premtimin se në sektorin publik, me qeverinë e tij, pagat do të rriten për 50 për qind. E rrogat nën 400 euro ka premtuar se nuk do të tatohen.
Veç pagave, rritje është premtuar se do të kenë edhe pensionet. Hamza është zotuar se përfituesit e skemave pensionale nuk do të detyrohen më të zgjedhin mes ndonjërit prej pensioneve.