Arbëri

Qytetarët vazhdojnë të përballen me temperatura të larta

Moti i nxehtë ka lënë sheshet e Prishtinës me shumë pak qytetarë. Drejtori i Institutit Hidrometeorologjik, Besim Aliu, ka thënë se më nxehtë se këto ditë ishte para 17 vjetësh. Ai ka thënë se përgjegjës për këtë mot janë anticiklonet e ngrohja globale

Në mes të ditës, në sheshet e Prishtinës mund të hasen shumë më pak qytetarë se zakonisht.

Njëjtë ishte edhe të hënën, kur shumica e qytetarëve mbroheshin me çadra dhe mbanin shishe me ujë.

Instituti Hidrometeorologjik ka njoftuar se temperatura maksimale edhe të martën do të jetë e lartë – deri në 39 gradë celsius, sa është paraparë për Prizrenin.

Drejtori i Institutit Hidrometeorologjik, Besim Aliu, ka thënë se temperatura më të larta janë regjistruar para 17 vjetësh.

“Në vitin 2007 ka qenë temperatura maksimale 39.4 gradë celsius këtu ku jemi, kurse në Prishtinë 39.6 apo 39.8. Do të thotë numri 4 ende nuk ka dalë përpara në termometër asnjëherë”, ka thënë ai.

Sipas tij, përgjegjëse për këtë mot janë anticiklonet e ngrohja globale.

“Jemi në stinën e verës, prandaj anticiklonet shpesh dinë të jenë të stacionuara në vende të ndryshme të botës, tani janë në Ballkanin Perëndimor dhe temperaturat e larta që po regjistrohen janë si shkak i këtyre fenomeneve”, ka thënë Aliu.

Megjithatë, sipas tij, do të ketë rënie të temperaturave duke nisur nga e mërkura.

“Kjo gjendje e temperaturave do të vazhdojë edhe nesër e (martë v.j.), deri në 39 gradë celsius, por të mërkurën dhe të enjten do të kemi riga shiu. Të enjten dhe të premten reshjet do të shtohen dhe përhapja e reshjeve do të jetë më e madhe në territor”, është shprehur Aliu.

Po ashtu ai ka thënë se nata mes të dielës dhe të hënës ishte tropike, me temperaturë mbi 20 gradë celsius, e që është fenomen i ri në Kosovë.

Ndërkohë profesori universitar i biologjisë dhe ekologjisë, Fadil Millaku, ka thënë se disa nga drithërat janë të rrezikuara që të mos prodhojnë rendiment ose të thahen.

“Në këto momente më të rrezikuara janë kulturat të mbjella me misër, me luledielli, për arsye se shumica prej tyre në Kosovë nuk kanë ujitje. Mirëpo të rrezikuara janë perimet dhe pemët”, ka thënë Millaku.

Millaku ka treguar edhe për një fenomen që po ndodh te bimët, për t’iu përshtatur ndryshimeve klimatike.

“Madje në Evropë, por edhe te ne në Kosovë veçse ka filluar migrimi i disa bimëve. Do të thotë që kanë jetuar në zona më të ulëta, kanë filluar që të tentojnë që të shkojnë në zona më të larta, në mënyrë që të adaptohen me këto ndryshime”, ka thënë ai.

Gjatë të hënës në sheshet e Prishtinës u pa duke kujdestaruar një ekip doktorësh nga Qendra e Mjekësisë Emergjente.

Për shkak të temperaturave të larta, Instituti Hidrometeorologjik dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike kanë dalë me disa rekomandime për mbrojtje nga dielli.

E bazuar në to, Ministria e Shëndetësisë ka marrë disa vendime, ndër to edhe që të sëmurët dhe gratë shtatzëna të punojnë me orar të shkurtuar. Po ashtu është ndaluar puna në ndërtimtari në periudhën 11:00 – 17:00 për periudhën 13 – 20 korrik.