Zvarritjet në procedurat gjyqësore përbëjnë numrin më të madh të ankesave të pranuara, duke ua mohuar qytetarëve të drejtën për gjykim të drejtë, thuhet në raportin e Avokatit të Popullit për vitin 2023 dorëzuar Kuvendit të Kosovës.
Sipas raportit, ankesat e tjera kanë të bëjnë me të drejtën për mjete juridike, me të drejtën e punës dhe ushtrimit të profesionit, me mbrojtjen shëndetësore dhe sociale, me mbrojtjen e pronës, me barazinë para ligjit, me të drejtat e të akuzuarit, me të drejtat e fëmijëve, e të tjera.
Në vitin 2023, Avokati i Popullit ka pranuar 1660 ankesa nga qytetarët, me pohime ankimore për shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut nga autoritetet publike në Kosovë. Ky institucion nga rastet e shqyrtuara gjatë vitit të kaluar, ua ka adresuar autoriteteve 836 rekomandime, 300 prej të cilave janë rekomandime nga hetimet e përfunduara në këtë vit, ndërsa 536 të bartura nga viti paraprak.
Avokati i Popullit ka gjetur se niveli i zbatimit të rekomandimeve nga ana e autoriteteve është 28 për qind, që vlerëson se është më i lartë se vitet e kaluara. Megjithatë, ky institucion ka kërkuar më shumë angazhim dhe përkushtim në rritjen e zbatimit.