Arbëri

Qytetarët në veri do të shkyçen nga rryma nëse kanë borxh mbi 100 euro

Qytetarët e katër komunave në veriun e banuar kryesisht me serbë, janë paralajmëruar nga kompania serbe “Elektrosever” për pasojat në rast të mospagesës së rrymës që shpenzojnë. Sipas njoftimeve e paralajmërimeve të kësaj kompanie, konsumatorët që kanë borxh mbi 100 euro do të shkyçen nga rrjeti i furnizimit me energji

Konsumatorët e veriut janë paralajmëruar nga kompania serbe “Elektrosever” se do të shkyçen nga rrjeti i energjisë elektrike, në rast se nuk paguajnë.

Masa do të aplikohet ndaj konsumatorëve në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq, të cilët kanë borxh më shumë se 100 euro.

Një paralajmërim për shkyçje i ka shkuar edhe Muhamet Shabanit, banor i Mitrovicës së Veriut. 

“Prej fillimit i kemi pasë 21 euro, qasi paushallë që thonë. E kam pagu një herë, më nuk kemi pagu, të shohim tash qysh po bëhet. Tash e kam me pagu 155 euro, mundemi me pagu 55 euro, 100 euro me mbetë borxh. Por mbi 100 mos me mbetë borxh, se si të bëhet mbi 100 euro kanë të drejtë me na e këputë rrymën”, ka thënë ai.

Shabani tha se do të paguajë borxhin e mbetur, pasi sipas tij, “nuk ka qare tjetër”.

E, njoftimi i fundit, është ai i javës së fundit të shtatorit, ku Elektrosever kërkoi që konsumatorët të kryejnë obligimet ndaj kompanisë, në mënyrë që të furnizohen me rrymë.

“Furnizimi i sigurt dhe i qëndrueshëm me energji elektrike sigurohet me pagesën e rregullt të faturave. Të gjithë konsumatorëve, borxhi i prapambetur i të cilëve për energjinë e konsumuar është mbi 100 euro, do t’u dërgohet paralajmërimi para ndërprerjes së furnizimit me energji elektrike”, thuhet në njoftimin e publikuar më 23 shtator.

Kompania ka qytetarët e komunave në veri që të lidhin kontratë për furnizim me energji elektrike.

“Ju kujtojmë se përdorimi i energjisë elektrike pa kontratë me furnizuesin është në kundërshtim me rregulloret aktuale. ‘Elektrosever’ ka të drejtën ligjore që të pezullojë furnizimin me energji elektrike konsumatorëve që nuk kanë kontratë, si dhe atyre që nuk kanë siguruar qasje në njehsorë”, thuhet në njoftim.

Në lidhje me paralajmërimet për shkyçjen e energjisë elektrike për qytetarët të cilët nuk e paguajnë atë, KOHA ka provuar që të marrë përgjigje nga kompania “Elektrosever”.  Përveç pyetjeve që u janë dorëzuar përmes emailit zyrtar, KOHA ka provuar që të takojë drejtorin apo edhe ndonjë zyrtarë për media. Mirëpo, pjesëtarë të sigurimit dhe punëtorë të tjerë të kësaj kompanie kanë thënë se drejtori nuk gjendet në zyre dhe se aty nuk do të kthehet deri të hënën, dhe kanë thënë se nuk e dinë se kush është zyrtar për media në këtë kompani.

Në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë kanë bërë të ditur se për shtatë muaj, nga qytetarët në veri janë shpenzuar 8 milionë e 292 mijë e 224 euro në rrymë derisa janë paguar vetëm 631 mijë e 804 euro.

Në lidhje me shkyçjet e paralajmëruara, në ZRRE kanë bërë të ditur se kompania mund të ndërmarrë një veprim të tillë nëse konsumatori nuk i përmbahet afatit të pagesës.

“Sa i përket paralajmërimit për shkyçje, në Rregullën për Shkyçen dhe Rikyçjen e Konsumatorëve në Sektorin e Energjisë janë vendosur kriteret, standardet, parimet dhe procedurat e aplikueshme me anë të të cilave ndërmarrja e energjisë mund të shkyçë dhe rikyçë konsumatorët në sektorin e energjisë. Ndërmarrja e energjisë mund të shkyçë konsumatorin i cili nuk i përmbahet afatit të pagesës sipas nenit 29, paragrafi 5 i Rregullës për Kushtet e përgjithshme të Furnizimit me Energji. Periudha prej dorëzimit të faturave te konsumatorët deri tek afati i pagesës së borxhit për të gjitha pagesat aktuale nuk duhet të jetë më pak se pesëmbëdhjetë (15) ditë. Shkyçja për mospagesë mund të zbatohet vetëm si masë e fundit sipas dispozitave të Rregullës për Shkyçjen dhe Rikyçjen e Konsumatorëve në Sektorin e Energjisë në Kosovë”, thuhet në përgjigjen me shkrim që e ka dhënë ZRRE-ja.

Një prej arsyeve për mosshkyçje deri më tash, ZRRE-ja e pati përmendur mungesën e njehsorëve të energjisë elektrike, me të cilët nuk janë ende të pajisur të gjithë konsumatorët e veriut.

Kompania Elektrosever mori licencën për të punuar në Kosovë në qershor të vitit 2023. Ndërsa, në fillim të këtij viti nisi dërgimin e faturave të para te konsumatorët, e të cilët nuk e paguan rrymën e shpenzuar që nga paslufta në Kosovë, më 1999.