Gjenden kudo, madje kanë bërë vend edhe shumë pranë ndërtesave ku kalojnë shumë njerëz në ditë.
Banorët e lagjeve “Qëndresa”, “Mati 1” dhe “Emshiri” e shohin pamjen me minj sa herë që zgjohen në mëngjes dhe nisen për në punë.
Këto janë vetëm disa nga lagjet e kryeqytetit që kanë probleme me minjtë.
Që nga viti 2020 nuk është bërë deratizimi në kryeqytet, proces ky që do t’i largonte brejtësit.
Banorët ankohen vazhdimisht për prezencë të madhe të minjve në këto lagje, sipas tyre, minjtë janë shumë të mëdhenj dhe po ka edhe aroma të këqija, ata po u frikësohen sëmundjeve infektuese.
“Ka shumë probleme me minjtë, kemi problem shumë me mbeturinat. Po frikësohemi që do të kemi edhe infektim të fëmijëve. Në mbrëmje kemi edhe aroma shumë të pakëndshme për shkak të minjve. Komuna nuk është duke u marrë me këtë pjesë. Unë çuditem, po besoj që kryetari është i mençur, por nuk po punon sa duhet. Këtu ka pacovë me madhësinë e një mace”, tha Milaim Krasniqi, banor.
Banori i “Matit 1”, Zeqë Behrami, tha se nuk e kuptojnë as nga qarkullojnë gjithë këta minj.
“Këtu dalin çdo ditë minjtë sikur peshqit, dalin të rreziten, ka shumë. Madje janë edhe shumë të mëdhenj, nuk e di as nga vijnë, as nga shkojnë. Në këtë pikë ka shumë. Dikush duhet të merret me ta, është shumë rrezik të infektohen njerëzit, sepse ka shumë”.
Drejtori i Shëndetësisë, Izet Sadiku, thotë që çështja për zgjedhjen e kompanisë qe 3 vjet ka mbetur në Organin Shqyrtues të Prokurimit.
“Që nga viti 2020, çështja e deratizimit është në OSHP, shkon atje mandej kthehet prapë. Unë kam biseduar edhe me kryetarin që nëse edhe një herë kthehet në rivlerësim kjo çështje, ne ta angazhojmë një kompani të përkohshme që do ta bëjë deratizimin të paktën dy herë në vit, në pranverë dhe në vjeshtë. Me qëllim që të eliminohet, ne kemi edhe informata që ka numër të madh të brejtësve në kryeqytet. Fatbardhësisht nuk kemi ndonjë sëmundje ende që është bartur përmes tyre, sepse ajo do të bëhej epidemi pastaj”.
Ndërsa OSHP-ja në një përgjigje të shkurtër për KOHËN ka thënë se nuk kanë ndonjë ankesë të papërfunduar për deratizim.
“OSHP ju njofton se nuk kemi ndonjë ankesë të papërfunduar për deratizim, të iniciuar dhe të zhvilluar nga AK, KK Prishtinë”.
Sadiku në pikëpamjen e infektologut thotë që nga prezenca e madhe e minjve mund edhe të përhapet sëmundja e tularimisë, që në Kosovë në vitet e 2000-ta ishte shumë prezente.
“Ka shumë sëmundje që barten nga brejtësit, por njëra prej tyre që është goxha problematike që ka qenë edhe në Kosovë prezente, mirëpo në kohën e fundit nuk është më, është sëmundja e tularmisë. Rastet janë sporadike viteve të fundit, megjithatë pas luftës kemi pasur shumë raste dhe ka qenë epidemi kjo sëmundje”.
Deratizimi është shkatërrimi dhe zhdukja e brejtësve të dëmshëm, me metoda të ndryshme, mekaniko-fizike, biologjike dhe kimike.