Arbëri

Qytetarët ndihen të mashtruar nga lojërat shpërblyese të bizneseve

Prej rreth pesë vjetësh kur është shfuqizuar Ligji për lojërat e fatit, asnjë institucion nuk i kontrollon lojërat shpërblyese që i organizojnë bizneset. Raportet tregojnë se gati gjysma e tyre ndahen në mënyrë jotransparente. Qytetarët dyshojnë se nëpërmjet këtyre lojërave, bizneset mashtrojnë, e në institucione nuk treguan se kur do të nisë monitorimi

Që nga viti 2019, kur është shfuqizuar Ligji për Lojërat e Fatit, lojërat shpërblyese organizohen e mbahen pa ndonjë kontroll institucional.

Tre vjet më parë, ministri i Financave, Hekuran Murati, pati thënë se një departament qeveritar do të merrej me to. 

“Në kuadër të Ministrisë së Ndërmarrësisë dhe Tregtisë është edhe Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit, e që realisht do të duhej të trajtohej në këtë aspekt, pra, meqë kemi të bëjmë me lojëra shpërblyese që organizohen nga shitës të produkteve të caktuara dhe bëhet fjalë për mbrojtje të konsumatorit”, pati thënë ministri Murati më 21 tetor 2021.

Por zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë, në kuadër të së cilës është Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit, nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet që KOHA i adresoi përkitazi me kontrollin e lojërave shpërblyese. 

E, një raport i publikuar në mars nga Instituti GAP, e që bazohet në të dhënat e qasshme online, tregon se gjatë periudhës 2009-2023 janë premtuar shpërblime kryesore në vlerë rreth 2.7 milionë euro, duke përfshirë banesa, vetura dhe shuma parash.
Deri në vitin 2019, kur është shfuqizuar Ligji për lojërat e fatit, monitorimin e shpërblimeve e ka bërë Administrata Tatimore. 

Sipas GAP-it, në pesë vjetët e fundit numri i lojërave shpërblyese u rrit për 16 herë më shumë e vlera e tyre për 12 herë, krahasuar me kohën sa ato ishin nën monitorim.
Raporti thekson të dhënën se gjatë periudhës 2009-2023, diçka më shumë se gjysma e ndarjes së shpërblimeve ishin transparente.

Qytetarët shprehin mosbesim në lojërat shpërblyese që ofrojnë bizneset.

“Ato janë mashtrime, po ndikojnë te gjeneratat e reja, shumica prej atyre po humbin në këto lojëra, prandaj është mirë mos m’u mashtru në këto lojëra. Shteti duhet me pas mbikëqyrje shumë të rreptë për këto, sepse shumica e njerëzve po i lënë mjetet aty”, ka thënë Isuf Kryeziu, qytetar.

Edhe qytetari tjetër Mirsad Krasniqi, nuk beson në atë që premtojnë bizneset.

“Bëhen për njerëz të tyre, dikush që po u ndihmon, dikush që u qëndron mbrapa, qytetarët nuk fitojnë nga kjo, dikush mund të fitojë, mirëpo ai njeri mund të jetë se po e ndihmon atë firmë, atë person ose diçka, dikush prej familjes së tyre”, ka thënë ai.

Në Ligjin për Lojërat e Fatit, që është shfuqizuar në vitin 2019, shpërblimet lejohej të jepeshin në produkte, shërbime, ose në para të gatshme, mirëpo pa tejkaluar shumën prej një mijë eurosh.