Kryeqyteti

Qytetarët kërkojnë dezinsektimin e mëhershëm, Komuna s’e ka në plan

Në Gërmi tashmë ka filluar të lulëzojë çdo gjë.  

Bashkë me të ka filluar edhe shumimi i insekteve, pasi sivjet dimri ka qenë më i butë, e temperaturat kanë filluar të ngrihen më herët se zakonisht.

E me këtë lind nevoja edhe për deziensktimin e hapësirave publike.

Kështu shprehen edhe qytetarët e Prishtinës, të cilët kërkojnë që sivjet dezinsektimi të bëhet më herët se zakonisht, para se të fillojë shumimi me të madhe i insekteve, sidomos mushkonjave.

Por nga Komuna e Prishtinës nuk e kanë në plan që këtë proces ta fillojnë më herët.

Sipas drejtorit të Shëndetësisë, në Komunë të Prishtinës, Izet Sadiku, dezinsektimi është i planifikuar dhe fillon në fund të muajit maj.

“Në fund të muajit maj fillon dezinsektimi i hapësirave publike. Varësisht nga koha ajo mund të shtyhet edhe për në fillim të muajit qershor. Si proces, do të ketë 6 faza të dezinsektimit”.

Por këtë gjë e sheh të gabuar aleorgologia Luljeta Ahmetaj, duke shtuar se ka qytetarë që vuajnë nga alergjia në insekte.

Sipas doktoreshës, dezinsektimi është mirë të fillojë menjëherë, kur shfaqet edhe poleni.

Aleorgologia po ashtu tregon se cilat janë kushtet që duhet pasur parasysh para fillimit të dezinsektimit.

Gjatë vitit të kaluar ka pasur ankesa të shumta të qytetarëve të Prishtinës se nuk po largohen mushkonjat me gjithë dezinsektimin.