Pak ditë pasi kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, rekomandoi që gjatë pritjeve nëpër kolona qytetarët të lexojnë libra, të dëgjojnë muzikë apo edhe të dalin nga veturat, prishtinasit kanë ironizuar me alternativat e tij. Postuan fotografi të ndryshme e mesazhe ironizuese nëpër rrjete sociale, tek i kërkuan që t’i bëjë zgjidhje problemit me trafikun. Disa paralajmëruan edhe protestë në rast se rruga “Xhorxh Bush” nuk hapet për qarkullim të veturave, teksa e akuzuan Ramën për bllokimin e rrugëve në kryeqytet
Para se ta merrte mandatin për ta drejtuar Komunën e Prishtinës, Përparim Rama si “rival” të vetëm të tijin e pati kualifikuar kaosin urban në kryeqytet, porse pas tre vjetësh në këtë detyrë ai i sugjeron qytetarët që të mësohen me tollovinë në komunikacion.
Rama ditë më parë doli me një alternativë se si qytetarët mund ta kalojnë kohën tek presin në kolona.
U rekomandoi që të lexojnë, të argëtohen me muzikë e madje edhe të dalin nga vetura po qe se këtë e lejon situata.
E qytetarët, të revoltuar nga pritjet e përditshme nëpër kolona, i bënë thirrje Ramës që në vend se të tregojë se çfarë ata mund të bëjnë gjatë pritjeve, ta gjejë zgjidhjen për zhbllokimin e trafikut.
“I ka bllokuar krejt rrugët. Asnjë qytetar nuk e përdor ‘Xhorxh Bushin’, krejt në trotuar ecin”, tha një banor i Prishtinës, që të mërkurën priste në kolonë me veturë.
E një tjetër kërkoi që Komuna ta rregullojë unazën qendrore të Prishtinës për lehtësimin e komunikacionit.
“Duhet rregullim i unazës qendrore, se ndryshe nuk rregullohet ky problem”, tha ai.
Sugjerimi i kryetarit Rama për të lexuar libra gjatë pritjeve është përcjellë me ironizim nëpërmjet fotografive të postuara në rrjete sociale.
Në njërën prej fotografive është shpërfaqur një polic i armatosur dhe i uniformuar teksa në radar e mat nivelin e librave të lexuara për orë. Në një tjetër shfaqet pamja e kufizimit të shpejtësisë së ngasjes me numrin e librave të lexuar.
“Në vend të veturave, dollapë të mbushur me libra zunë vend në parkingjet e lagjeve të kryeqytetit”, është përshkrimi i shkruar në një tjetër ilustrim ironizues për deklaratën e Ramës.
Për menaxhimin e problemit me trafik në kryeqytet, qytetarët shprehën edhe gatishmërinë për të ofruar ndihmë.
“Ju kemi thanë edhe apet po ju themi, jemi të gatshëm, si Ferizaj, me ju marrë nën menaxhim si fazë emergjente”, thuhet në një postim.
Bekim Ahmeti, njohës i komunikacionit, tha se janë disa arsyet përse kryeqyteti është i ngufatur nga kolonat.
“Mungesa e një tramvaji të qytetit që shkon në zgjidhje ideale, pastaj mungesa e zonave apo terminale... është folur që do të ndërtohen terminalet në hyrje të qytetit e pastaj qytetarët që vijnë me automobila, e lanë automobilin në terminal, pastaj e marin një autobus urban edhe lëvizjen nëpër qytet. Po të dyja bashkë duhet ta ndërtojnë unazën e qytetit, pastaj mundësisht që shumë punë administrative, të cilat janë të koncentrume në qendër të qytetit t’i zhvendosim në periferi, po gjithmonë pasi që të krijohet transporti publik”, thotë Ahmeti.
Njëri prej shkaqeve që konsiderohet se ka shtuar kolonat në Prishtinë është vendimi i Komunës për ta mbyllur për qarkullimin e automjeteve rrugën “Xhorxh Bush” në qendër të kryeqytetit. Për ta shprehur kundërshtimin për kolonat dhe për ta kërkuar hapjen e kësaj rruge, në grupin në Facebook “Vrojtuesit e lagjes” është paralajmëruar protestë.
Kryetari Përparim Rama mori vendim në vitin 2022 që kjo rrugë të shndërrohet në shesh, me qëllim që qytetarët t’i përdorin më shumë autobusët e ‘Trafikut Urban”. Por mbyllja e rrugës pati ngjallur pakënaqësi tek qytetarët.