Arbëri

Qytetarët e Prishtinës në hall me kujdestarinë e barnatoreve, blejnë në Fushë-Kosovë

Në mungesë të informimit të duhur se cilat janë barnatoret kujdestare, qytetarët e Prishtinës po zgjedhin Fushë-Kosovën për të blerë barna.

Disa qytetarë po e kanë më të thjeshtë të drejtohen në qytetin fqinj sesa të enden nëpër Prishtinë për gjetjen e një barnatoreje.

E për disa të tjerë endja nëpër qytet për të gjetur një barnatore hapur është bërë e zakonshme, megjithëse nganjëherë rezulton e pasuksesshme.

Kështu shprehet një qytetar duke thënë se një natë është bërë për ambulancë. Sipas tij, problemi është te mosinformimi i duhur.

E një tjetër qytetare, Gjina Haxhiu, thotë se në mungesë të një ilaçi një natë i ishte dashur të paguante sa taksin aq edhe ilaçin. 

E ajo që kërkojnë më së shumti qytetarët e Prishtinës në Google është fjalia “barnatoret kujdestare”. Megjithatë, janë të moshuarit ata të cilët po kanë probleme me këtë gjë.

Eksperti i rrjeteve sociale, Valon Canhasi, thotë se kjo gjë tregon se nuk është bërë informimi i duhur nga Oda e Farmaceutikëve apo edhe vetë Komuna. Ai ka disa ide se si kishte me qenë më i thjeshtë informimi për qytetarët.

Nga Oda e Farmaceutikëve thonë se orari i kujdestarisë së barnatoreve duhet të rregullohet në nivel qendror.

“Ne si odë jemi për interesin e farmaceutikëve, por mendojmë që vendime të tilla duhet të bëhen në nivel vendi. Pra, cilido orar që përcaktohet ne jemi për rregullim të saj në nivel vendi. Jo Prishtina t’i mbyllë në orën 21:00 e Fushë-Kosova në 23:00”, thuhet në përgjigjen e kësaj ode.

Nga Komuna e Prishtinës thonë se orari i kujdestarisë për Prishtinën ka qenë shumë i nevojshëm pasi nuk ka pasur një të tillë në Prishtinë.

Pas ankesave të shumta, drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Izet Sadiku thotë se kanë bërë një rregullore të re, e cila pas miratimit në Kuvendin Komunal është kthyer mbrapsht nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal. Ndërsa tani pritet të dalë në debat publik.

Me rregulloren e re pritet të vazhdohet orari i barnatoreve deri në orën 23:00. Ndërsa kujdestare gjatë natës do të jenë vetëm 5. 

Që nga viti 2010 ekziston një rregullore në Komunën e Prishtinës, e cila rregullon fillimin dhe mbarimin e orarit të punës për të gjitha bizneset e kryeqytetit, porse ajo nuk ka gjetur zbatim.