Nisja prej tash e disa ditësh e festivalit dimëror “Verë n’Dimër” nëpër sheshet e Prishtinës është përcjellë me ankesa prej qytetarëve për çmime të larta. Nëpër shtëpizat që janë vendosur si pjesë e këtij festivali, një çokollatë e nxehtë shitet prej 2 deri në 2 euro e gjysmë, një çaj kushton 1.50 euro, teksa çmimi i pijeve alkoolike lëviz nga 4 deri në 12 euro. E këto çmime, qytetarët thonë se i tejkalojnë standardet e Kosovës
Ndjesinë e festave të fundvitit, qytetarja nga Prishtina, Rineta dhe vajza e saj, po e përjetojnë në shtëpizat e vendosura te sheshi Xhorxh Bush, si pjesë e festivalit dimëror “Verë n‘Dimër”.
Qëndrimin në këto shtëpiza nën temperatura të ulëta, ajo po e shoqëron me pije të ngrohtë. Por ankohet se çmimi i pijeve që shiten aty është i lartë për standardet e qytetarëve të Kosovës.
“Janë pak më të larta është e vërtetë, pak më të larta janë, por prapëseprapë këtë vit edhe kohën e fundit janë shtrenjtuar gjithkund”, ka thënë ajo.
Çmimi për një çokollatë të nxehtë në këto shtëpiza sillet nga 2 deri në 2 euro e gjysmë. Një çaj kushton 1.50 euro, teksa çmimi për pije alkoolike lëviz nga 4 deri në 12 euro.
Këto çmime, qytetarët thonë se janë më të larta sesa në vitet e shkuara.
“Janë më të shtrenjta, më shumë sesa që janë, kanë qenë çdo vit, e vërej... ndryshimet janë më të mëdha. Arsyet nuk i di, por edhe ndonjë ditë do të jenë të papërballueshme”, ka thënë një nga ta.
“Kjo pjesa e festivalit që ka filluar të bëhet në Prishtinë, i ka dhënë një gjallëri. A duhet të jenë më të arsyeshme për standardin tonë, po ma merr mendja që po”, ka thënë një tjetër.
Festivali do të jetë i hapur për 45 ditë, në kuadër të të cilit janë vendosur dhjetëra shtëpiza në sheshet kryesore, të cilat u janë dhënë bizneseve të gastronomisë për 45 ditë, për një vlerë prej 3.900 eurosh.
E ditë më parë, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka dorëzuar kallëzim penal ndaj kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, dhe drejtorit të ndërmarrjes “Sport-Marketing” në Prishtinë, Bardh Krasniqi, për organizim të tregut dimëror “Verë n’Dimër”. Në kallëzimin e siguruar nga KOHA, Krasniqi ka thënë se Ministria që ai udhëheq ka vlerësuar se vendimi është në kundërshtim me dispozitat e ligjit në fuqi.
Komuna e Prishtinës, siç ka thënë ai, ka vazhduar me organizimin e festivaleve “Verë n’Dimër” dhe “Akull n’Verë” pavarësisht vendimit të rrëzuar nga ministria.