Arbëri

QUINT-i reagon pasi s'iu lejua Porfirijes vizita në Kosovë: Në kundërshtim me Planin e Ahtisaarit

QUINT

Shtetet anëtare të QUINT-it kanë shprehur shqetësimin me vendimin e Qeverisë së Kosovës të marrë të hënën që të mos u lejohet vizita në Kosovë patriarkut serb Porfirije dhe peshkopëve tjerë për të marrë pjesë në fillimin ceremonial të kuvendit vjetor të Sinodës së Patriarkanës së Pejës. 

“Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe SHBA-së, si dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, janë të shqetësuara me vendimin e Qeverisë së Kosovës që të mos u lejohet hyrja në Kosovë patriarkut Porfirije të Kishës Ortodokse Serbe dhe peshkopëve të tij përcjellës, që të marrin pjesë në fillimin ceremonial të kuvendit të rregullt vjetor të Sinodës së Patriarkanës së Pejës. Vendimi i Qeverisë është në kundërshtim me dispozitat e Planit të Ahtisaarit, që qartë përshkruajnë të drejtat, priviligjet, imunitetet e klerit të Kishës Ortodokse Serbe dhe nuk është në përputhje me obligimet e Kosovës të marra në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në reagim. 

Në reagim thuhet se pritet nga Qeveria e Kosovës që të përmbushë standardet më të larta të të drejtave të njeriut si në kornizën e saj ligjore ashtu edhe me veprimet e saja. Po ashtu palëve u është bërë thirrje të frenohen nga veprimet e retorikat që mund të nxisin tensionet. 

“Të veprojë në interes të të gjithë qytetarëve të saj dhe të mbajë vlerat dhe përgjegjësitë e saj themelore ndaj stabilitetit rajonal. Ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje të dyja palëve që të frenohen nga çdo veprim apo retorikë që mund të rrisë tensionet dhe të çojë te incidentet”. 

Përmes një postimi në Facebook, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës të hënën, ka thënë derisa Serbia vazhdon të shkelë Marrëveshjen e Brukselit, nuk do të lejohen vizitat.

“Përderisa Serbia vazhdon të shkelë marrëveshjen e Brukselit, të mos lejojë vizitat e zyrtarëve tanë shtetërorë në Serbi dhe për më tepër të mos ndalet me fushata kundër Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, si në proceset integruese ashtu edhe ato të njohjes, të vazhdojë të përdorë gjuhë të urrejtjes dhe kërcënime kundër Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve të saj, nuk do të lejohen vizitat as nga ana jonë”, thuhet në njoftim.

BE-ja reagon pasi Porfirijes s’iu lejua vizita në Kosovë: Shkelje e marrëveshjes së vitit 2014

11 muaj më parë / 14 maj 2024 13:52
Peter Stano - zedhenes i BE-se

Bashkimi Evropian ka reaguar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për të mos ia lejuar vizitën në Kosovë patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije. 

Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Peter Stano, në konferencë për media në Bruksel të martën, ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës shkel marrëveshjen e vitit 2014 për vizitat zyrtare. 

“Duke ia refuzuar hyrjen, Qeveria e Kosovës jo vetëm që shkeli marrëveshjen e vitit 2014 për vizitat zyrtare, por edhe injoroi në mënyrë flagrante rëndësinë që Kisha Ortodokse Serbe vazhdon të ketë për një pjesë të qytetarëve të Kosovës. Kjo shkon kundër parimeve bazë të çdo shoqërie demokratike multietnike e tolerante. Sërish BE-ja vazhdon e përsërit thirrjet për zbatimin e plotë dhe të pakusht të gjitha pikave të marrëveshjeve të dialogut, përfshirë edhe atë të vizitave zyrtare”, ka thënë Stano. 
Ai ka thënë se në takimin e nesërm në Bruksel, ka gjasa të përmendet çështja, porse tema e takimit të nivelit të kryenegociatorëve është “çështja e dinarit”.