Arbëri

QUINT-i, BE-ja e OSBE-ja kritikojnë Qeverinë për shpronësimin e tokave në veri

Në deklaratën e përbashkët thuhet se “Qeveria ka shkelur ligjet dhe rregulloret e veta për shkak të mangësive procedurale dhe teknike gjatë procesit të shpronësimit”. “Vërejmë se sistemi gjyqësor i Kosovës ka identifikuar shqetësime të ngjashme ligjore me vendimin preliminar të shpronësimit, të cilin Qeveria ende nuk e ka adresuar”, thuhet në reagimin e QUINT-it, BE-së dhe OSBE-së

Ambasadat e shteteve të QUINT-it – Shtetet e Bashkuara (SHBA), Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca e Italia -Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Prishtinë dhe Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë kanë kritikuar të enjten Qeverinë për vendimin për të finalizuar shpronësimin e mbi 100 parcelave në komunat me shumicë serbe në veri.

Në deklaratën e përbashkët thuhet se “Qeveria ka shkelur ligjet dhe rregulloret e veta për shkak të mangësive procedurale dhe teknike gjatë procesit të shpronësimit”. 

Vërejmë se sistemi gjyqësor i Kosovës ka identifikuar shqetësime të ngjashme ligjore me vendimin preliminar të shpronësimit, të cilin Qeveria ende nuk e ka adresuar”, thuhet në reagimin e QUINT-it, BE-së dhe OSBE-së.

Në Qeveri të enjten nuk e kanë komentuar reagimin e ndërkombëtarëve, por në ditën kur është marrë vendimi përfundimtar më 30 maj, patën thënë se shpronësimi në interes publik i disa pronave në Leposaviq dhe në Zubin-Potok, me qëllim të realizimit të disa projekteve infrastrukturore, është në pajtueshmëri me aktgjykimet e plotfuqishme të gjykatave të Kosovës. Procesin e shpronësimit në Leposaviq e Zubin-Potok Qeveria e pati nisur në mes të janarit të 2023-s, kur disa toka në këto komuna i ka shpallur “pasuri të paluajtshme me interes të veçantë publik - të nevojshme për realizimin e projekteve infrastrukturore me interes publik”.

Bazuar në vendimin paraprak të Qeverisë, sipërfaqja e përgjithshme e shpronësimit të planifikuar atëkohë ka qenë rreth 104 hektarë në Leposaviq dhe rreth 33 hektarë në Zubin-Potok. Por, në vendimin përfundimtar të Qeverisë thuhet se në Leposaviq do të shpronësohen 96 hektarë apo tetë hektarë më pak.

“Përderisa disa nga pronat e paraqitësve të kërkesës u hoqën nga vendimi përfundimtar i shpronësimit, na vjen keq që Qeveria e Kosovës nuk priti që të gjitha procedurat e hapura gjyqësore të gjykoheshin plotësisht përpara se të merrte këtë vendim”, thuhet në deklaratën e QUINT-it, BE-së dhe OSBE-së.

Aty, mes tjerash, theksohet se është “thelbësore që Qeveria të bëjë përpjekje për të siguruar që aktivitetet e shpronësimit të jenë në përputhje me ligjin”. Në reagim është thënë po ashtu se duhet që të ndiqet procesi i duhur dhe që të drejtat pronësore të pronarëve të respektohen plotësisht.

Në Gjykatën e Apelit kanë konfirmuar të mërkurën për Radion Evropa e Lirë se shqyrtimi i një vendimi të Gjykatës Themelore lidhur me këtë çështje është ende në vazhdim.

Përparim Kryeziu, zëdhënësi i Qeverisë, ka thënë të mërkurën për REL-in se vendimi i fundit për shpronësimin e tokave në Leposaviq dhe Zubin-Potok është marrë në përputhje me aktgjykimet e formës së prerë të gjykatave të Kosovës, të cilat kanë kërkuar përjashtimin e disa parcelave nga shpronësimi.

“Gjykata ka qenë e qartë kur ka konstatuar se shumica e paditësve nuk kanë pasur legjitimitet për të nisur procedura ligjore, sepse nuk kanë mundur të dëshmonin pronësinë e tyre mbi tokën që është subjekt i shpronësimit. Në vazhdën e kësaj Qeveria ka vepruar në bazë të vendimeve gjyqësore dhe ligjeve në fuqi”, ka thënë Kryeziu.

Shtetet e QUINT-it në deklaratën e tyre kanë theksuar se ndaras ia kanë shprehur më herët shqetësimin Qeverisë se “projektligji i shpronësimit nuk është në përputhje me zotimet e Kosovës, të marra sipas Planit të Ahtisaarit”, duke shtuar se e kanë inkurajuar atë që ta modifikojë Ligjin në përputhje me rrethanat para se ta miratojë atë.

Gjykata Themelore në Prishtinë e pati refuzuar shumicën e padive të qytetarëve serbë, të cilët kanë paditur Qeverinë e Kosovës dhe kanë kërkuar që të “vërtetohet se nuk ekziston interes i veçantë publik për pasuritë e paluajtshme të paditësve”.