Arbëri

Qorrolli: Komisioni i Venecias miratoi 3 opinione ligjore për projektligje të reformës në drejtësi

kv

Zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, ka njoftuar se Komisioni i Venecias të premten ka miratuar tri opinione ligjore për katër projektligje të reformës në drejtësi në Kosovë.

Qorrolli e ka quajtur këtë hap historik për drejtësinë në vend. Ai ka thënë se kjo është dëshmi se drejtësia në Kosovë po kalon nga një periudhë tranzicioni në një fazë konsolidimi. 

“Ky miratim nuk është thjesht një hap procedural, është një fitore politike, juridike dhe morale për qytetarët e Republikës së Kosovës. Reforma në drejtësi nuk është luks dhe as thjesht një domosdoshmëri teknike, është themeli mbi të cilin ndërtohet një shoqëri e drejtë dhe e lirë”, ka shkruar ai në Facebook. 

Ai ka shkruar edhe për projektligjet e miratuara.

“Projektligji për Këshillin Gjyqësor të Kosovës: garanton një gjyqësor të pavarur dhe të mbrojtur nga ndërhyrjet politike dhe ekonomike; Projektligji për Akademinë e Drejtësisë: krijon themelin për një sistem profesionalizmi dhe përgjegjshmërie në përgatitjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve; Projektligji për Rekrutimin, Vlerësimin e Performancës, Kontrollin e Integritetit dhe Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve: forcon parimin e meritokracisë dhe ndëshkon çdo formë të abuzimit dhe korrupsionit në sistemin e drejtësisë; Projektligji për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve: vendos një mekanizëm të qartë dhe efikas për mbajtjen e sistemit të drejtësisë në standardet më të larta të etikës dhe profesionalizmit”, ka shkruar ai.