Zëvendëministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, ka thënë se gjyqtarët dhe prokurorët e dorëhequr nga veriu i Kosovës, nuk guxojnë të kthehen me automatizëm në punë.
Të mërkurën në “Interaktiv” të KTV-së, Qorrolli ka thënë se për Qeverinë nuk është e pranueshme në asnjë rrethanë që të njëjtit të rikthehen në postet e tyre.
“Kam drojën që ata ende figurojnë sepse shefi i Shtetit nuk i ka liruar nga detyra. Nuk është e pranueshme për Qeverinë në asnjë rrethanë që ata të kthehen, këshillat respektivë duhet të hapin konkurs të ri meritokratik, ku të gjithë ata mund t’i nënshtrohen. Në asnjë rrethanë nuk është e pranueshme për ne që ata të njëjtit që janë dorëhequr në mënyrë kolektive politiko-histerike, ata nuk guxojnë të kthehen me automatizën në punë sikur nuk ka ndodhur asgjë”, ka thënë ai.
Ai tutje e ka akuzuar zëdhënësin e Bashkimit Evropian, Peter Stano, për demagogji, duke thënë se kur flet në konferenca për shtyp, ua fyen inteligjencën.
“Nganjëherë më duket se ai Peter Stano, kur del në konferencë flet sikur me filloristë, harron që ne jemi shtet, kemi traditë edhe në ish-Jugosllavi, mos të na fyejë inteligjencën. Ajo është demagogji e tij dhe e institucioneve byrokratike të BE-së të cilat janë treguar inerte me Kosovën në këtë aspekt”, ka thënë ai.
Ai ka folur edhe për komentimet e Qeverisë në lidhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
“E drejta e komentimit nuk mund të ndalet, siç nuk mund të ndalet nëpër studio e as në ndonjë komunitet. Komuniteti juridik, ai politik, laikët që nuk janë juristë kanë të drejtë të komentojnë e të shprehin rezervat e tyre, por atë që kanë detyrim të zbatohet, duhet të zbatohet. Edhe Qeveria jonë, pavarësisht që disa vendime të Gjykatës Kushtetuese nuk na kanë pëlqyer, të gjitha vendimet janë zbatuar”, është shprehur ai.