Arbëri

Qorrolli: Ftesa e Prokurorisë Speciale për Kurtin, gjueti shtrigash

Vigan Qorrolli

Zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, ftesën e Prokurorisë Speciale ndaj kryeministrit Albin Kurti si dëshmitar, e ka cilësuar si gjueti shtrigash.

Të martën në “Interaktiv” të KTV-së, Qorrolli e ka akuzuar Prokurorinë për “mbyllje sysh” ndaj paligjshmërive, e “gjah” ndaj anëtarëve të Qeverisë aktuale.

“Ky element paraqet një gjah shtrigash për faktin që jemi në një situatë politike kur ka tendenca që VV-ja të ekspozohet, edhe Qeveria edhe vetë kryeministri Kurti, të ekspozohen si njerëz që kanë kryer vepra penale. Nuk po bëjmë akuza kundër Prokurorisë së Shtetit, ne po bëjmë bilanc disproporcional për faktin se ata janë joaktiv dhe i mbyllin sytë kur shohin paligjshmëri, ndërkohë që ka një gjah shtrigash për anëtarët e Qeverisë Kurti, të cilët në kryerjen e detyrave të tyre të përditshme, bëjnë veprime që e kanë ndryshuar në mënyrë dinamike jetën e njeriut, si ajo e Financave, Ministria e Kulturës, e Tregtisë dhe të tjera”, ka thënë ai.

Qorrolli tutje ka thënë se Prokuroria ka mundur ta ngrejë këtë aktakuzë në një kohë tjetër. 

“Ata duhet t’i japin shpjegimet e tyre mbi faktin se si bëhet për herë të parë që Prokuroria Speciale në situata të tilla të vlugut të fushatës zgjedhore brenda një periudhe 3-4 ditësh e fton kryeministrin të japë dëshmi. Nuk është as ngutia për të ngritur aktakuzë, as nuk ka rrethana për të cilat spekulohet mediatikisht se për cilën vepër penale apo të dyshuar thirret. Kryeministri do t’i përgjigjet ftesës, do të dakordohen për një agjendë brenda periudhës së caktuar. Selia e intervistimit është irrelevante në këtë rast. Në jurisprudencë kjo nuk është e ndaluar”, është shprehur ai. 

Ai tutje ka thënë se arsyeja e kësaj thirrjeje mund të jetë sekret i Prokurorisë. 

Derisa ka folur për listën e kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje, jashtë së cilës mbetën zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, e ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, ai ka thënë se ata mund t’i japin përgjigjet vetë. 

“Nuk ka asnjë mister këtu, besoj se ministri Aliu mund t’i japë përgjigjet vetë, mund të jetë i ftuari juaj për të thënë pse nuk ka dëshiruar të jetë pjesë e zgjedhjeve. Zv.kryeministri i parë, Besnik Bislimi është emëruar shef i shtabit zgjedhor. Janë edhe katër deputetë të tjerë që nuk janë përfshirë, nuk kanë parapëlqyer me dëshirë të tyre që të jenë. Për ta kuptuar të vërtetën duhet ta ftoni ministrin Aliu apo Kryesinë e VV-së”, ka theksuar ai.