Lideri i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, ka kritikuar ashpër qasjen e kryeministrit Edi Rama ndaj Kosovës, duke e cilësuar të padrejtë dhe të motivuar nga interesa personale e oportunizëm politik.
Në një intervistë në “Interaktiv” të martën, Qori u shpreh se lidhja emocionale dhe historike me Kosovën është e thellë, si në aspektin personal ashtu edhe në atë politik, duke theksuar se Lëvizja Bashkë përfshin shumë aktivistë me origjinë nga Kosova.
“Kam qenë gjithmonë kritik ndaj qeverisë Rama për këtë padrejtësi në raport me Kosovën. Nuk mund të jesh kryeministër i Shqipërisë dhe ta orientosh qëndrimin shtetëror në varësi të marrëdhënieve personale me kryeministrin e Kosovës”, u shpreh Qori.
Ai shtoi se Rama shpesh vepron si një oportunist politik që, për të fituar pikë në sytë e ndërkombëtarëve, nuk heziton të bashkëpunojë ngushtë edhe me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, duke e quajtur këtë një “pandershmëri politike”.
“Politikanët e korruptuar mund të valojnë flamurin shqiptar kur u intereson, por veprojnë si oportunistë në çdo hap. Ne, përkundrazi, sjellim ndershmëri, guxim dhe përkushtim ndaj të drejtës në politikë”, deklaroi ai.
Qori dhe partia e tij Lëvizja Bashkë do të kandidojnë për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit në Shqipëri. Ai u shpreh optimist për rezultatin, duke thënë se mbështetja qytetare është në rritje dhe se rezultati do të jetë më i mirë se ai në zgjedhjet lokale.
Qori kandidoi për herë të parë për kryetar të Tiranës në zgjedhjet lokale të vitit 2023. Në këto zgjedhje, fitoi 13,851 vota, që përbënin 4.77% të votave, duke u renditur si forca e tretë politike në këtë bashki. Kjo përqindje i siguroi Lëvizjes Bashkë një mandat në Këshillin Bashkiak të Tiranës, të cilin e mban anëtarja Mirela Ruko.