Arbëri

QKUK-ja s’u bën zgjidhje pritjeve të gjata në ambulancën specialiste të Ortopedisë

Numër i madh pacientësh, të cilët i drejtohen ambulancës specialistike të Ortopedisë për kontrolle mjekësore, detyrohen që përditë të zënë radhë qysh nga ora gjashtë e mëngjesit. Ata janë ankuar se detyrohen të presin, pasi që në këtë ambulancë nuk u mundësohet caktimi paraprakë i terminëve, sikurse në ambulanca të tjera specialistike. Për këtë problem, në QKUK patën premtuar zgjidhje qysh dy vjet më parë. E për vazhdimin e situatës së njëjtë, në këtë institucion nuk kanë ofruar përgjigje

Përditë, qysh në orët e para të mëngjesit, sportelet dhe korridoret e ambulancave specialistike të Qendrës Klinike Universitare (QKUK) mbushen plot me pacientë të cilët presin në radhë fillimisht për t’u pajisur me një numër rendor e më pas edhe për t’iu nënshtruar kontrollit mjekësor.

Radhët për kontrolle mjekësore janë më të gjatat në ambulancën specialistike të Ortopedisë, pasi që në të pacientët nuk e kanë mundësinë që terminin për vizita ta caktojnë paraprakisht.

KOHA ka biseduar me dhjetëra pacientë, të cilët nën kushtin e anonimitetit, kanë treguar se sa herë që kanë nevojë për kontrolle specialistike ortopedike shtrëngohen që në këtë ambulancë të vijnë në orën gjashtë të mëngjesit për të zënë rend. Njëra prej pacienteve, krahas për pritjet e gjata nëpër korridore, është ankuar edhe për vonesën e mjekëve.

“Është e tmerrshme të vish këtu në orën 6. Vjen në 6 deri në gjashtë e gjysmë. Në 8 duhesh të presësh aty në korridor se nuk të lënë të hysh hiç këtu, e edhe kur të hysh këtu, shkon llugë. Edhe për ta marrë numrin, përlahen: ‘jo ti ma zure rendin mua, jo kështu’. Edhe mjeku vjen në 10-10:30 qysh do që t’i teket, e tash duhet të presësh”, ka thënë pacientja, e cila nuk ka pranuar që të identifikohet.

Për këtë situatë, i mllefosur është shprehur edhe një tjetër pacient.

“Unë 75 vjet i kam e të më maltretojnë kështu nuk është në rregull... Sot në ora gjashtë kam shkuar e kam pritur në rend aty”, ka thënë pacienti i shtyrë në moshë.

KOHA pati raportuar dy vjet më parë se radhët e pritjes në këtë ambulancë specialistike janë si pasojë e mungesës së sistemit për caktimin paraprak të terminëve për kontrolle mjekësore.

Ish-drejtori i Klinikës së Ortopedisë, Gani Jashanica, pati premtuar asokohe se zgjidhja për problemin do të bëhet së bashku me Qendrën Klinike Universitare.

Në QKUK nuk u janë përgjigjur prej ditësh pyetjeve të KOHËS rreth moszgjidhjes së problemit me pritje të gjata në këtë ambulancë specialistike.