Arbëri

QKUK-ja sqaron tollovinë në Ortopedi

qkuk

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka thënë se për shkak të problemeve teknike në sistemin elektronik dhe mosrespektimit të terminëve nga pacientët janë shkaktuar tollovi në ambulancën specialistike të Ortopedisë gjatë së enjtes.

Në një video të siguruar nga KOHA gjatë paradites u pa një numër i madh i njerëzve duke pritur për shërbimet në Ortopedi.

E në reagim më vonë, QKUK-ja ka thënë se sot ka pasur fluks të shtuar të pacientëve në ambulancën specialistike, “veçanërisht nga fusha e ortopedisë spinale, shërbim ky që ofrohet vetëm në QKUK”.

“Po ashtu, sqarojmë se gjatë ditës ka pasur një ndërprerje teknike prej rreth 45 minutash në sistemin elektronik të regjistrimit në ambulancat specialistike, çka ka ndikuar në vonesa në procesin e menaxhimit të pacientëve, duke u grumbulluar rastet, por të gjithë pacientët kanë marrë shërbimin mjekësor. Një sfidë tjetër mbetet mosrespektimi i orarit të termineve nga vetë pacientët, të cilët, megjithëse kanë caktuar termine përmes sistemit, shpesh paraqiten jashtë orarit të caktuar, duke krijuar ngarkesë dhe vështirësi në organizimin e punës”, thuhet në reagimin e tyre.

Siç ka bërë të ditur, në këtë klinikë gjatë ditës së sotme janë kryer 206 vizita - prej tyre 160 ortopedike dhe 46 spinale si dhe është vendosur gipsi në 21 pacientë.

“QKUK-ja kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe njëkohësisht ju bën thirrje të gjithë pacientëve që të respektojnë terminet e tyre të planifikuara, në mënyrë që të sigurohet një shërbim më i shpejtë dhe më efikas për të gjithë pacientë”, vijon reagimi i tyre.

VIDEO: