Pacientët në QKUK që prej një muaji janë detyruar që ta blejnë kontrastin, një material ky që injektohet për të vizualizuar më mirë organet dhe enët e gjakut. Ata kanë treguar se u është dashur që të blejnë sasi më të madhe se sa që nevojitet. Për furnizim me këtë material, deri tash janë anuluar tri procese prokurimi, njëri prej të cilëve për një gabim teknik në ofertim
Qendra Klinike Universitare (QKUK) që prej një muaji ka mbetur pa materialin e nevojshëm për diagnostikimin e saktë gjatë procedurave imazherike.
Në mungesë të kontrastit në Barnatoren Qendrore, pacientët janë detyruar që atë ta blejnë në barnatoret private.
Krahas kësaj, një familjare pacienti ka treguar për KOHËN se është detyruar që të blejë dyfish më shumë material sesa që është nevojitur për ta kryer një CT.
“Na thanë është 100 mililitra në barnatore, kur kemi shkuar, në asnjë barnatore nuk ka pasur 100 mililitra, ka pasur 200 mililitra. Çmimi ka qenë 40 euro. 100 mililitra janë përdorur, 100 mililitra është dashur të gjuhen, për arsye se ajo më nuk përdoret. Çdo pacient që kishte për ta bërë këtë CT, detyrohej të shpenzonte nga 40 euro edhe të tjerat para, 20 euro i shkonin në bërllok, për arsye se ata nuk kishin mjete, duhej pacienti vetë t’i shpenzonte”, ka treguar familjarja, e cila ka folur nën kushtin e anonimitetit.
Në QKUK kanë thënë se një proces i prokurimit për kontraktimin e këtij produkti ka përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), ndërsa dy të tjera kanë dështuar për shkak të ofertave të papërgjegjshme.
Në përgjigjen për KOHËN, në QKUK kanë thënë se megjithëkëtë është bërë një zgjidhje e përkohshme.
“Procedura për kontraktimin e produktit Kontrast është iniciuar me kohë nga Barnatorja Qendrore. Në kohën kur është bërë inicimi për kontratën e re të produktit kontrast, kemi pasur stoqe rezervë për 6 muaj. Lënda ka përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Kemi riinicuar për të tretën herë radhazi procedurën për kontraktimin e kontrastit, por edhe kësaj radhe ka dështuar për arsye të ofertave të papërgjegjshme. Pasi ka filluar të vërehet mungesa e kontrastit, ShSKUK është furnizuar përmes donacioneve, në mënyrë që të mos ketë ndërprerje të furnizimit”, kanë thënë në sektorin për furnizim me barna dhe material medicinal.
Ndonëse në QKUK kanë thënë se kanë siguruar material nëpërmjet donacioneve, disa pacientë ia kanë konfirmuar KOHËS se janë duke vazhduar që ta blejnë produktin.
Në maj, Shërbimi Klinik Universitar (SHSKUK) ka anuluar aktivitetin e prokurimit për dy operatorë ekonomikë, me arsyetimin se njërit i ka munguar Autorizim-Marketingu, ndërsa tjetri ka ofertuar me çmim që e tejkalon buxhetin e paraparë.
Pas tre muajsh, në tenderin tjetër kanë ofertuar tre operatorë ekonomikë, por SHSKUK-ja sërish e ka anuluar me arsyetimin e një gabimi teknik në procesin e prokurimit. Operatori iu ka referuar produktit si copë dhe jo si mililitra.
Lënda ka përfunduar në OSHP, ndërsa në ankesë, operatori ka ofruar dëshmi se me të njëjtat terme të referimit, një tjetër aktivitet i prokurimit ka përfunduar me sukses.
“Duhet cekur fakti se në një tender tjetër, të iniciuar po nga ky autoritet kontraktues (SHSKUK), përkatësisht te tenderi me titull ‘Furnizim me barna nga lista esenciale për nevojat e SHSKUK-së (059)’, me nr. të prokurimit 00220-24-4359-1-2-1, ne ishim shpallur fitues dhe kemi nënshkruar kontratë, ku edhe aty te lista e çmimeve te njësia ishte përcaktuar ‘Copë’, mirëpo kontrata është nënshkruar për mL, ndërsa edhe në këtë rast, çmimi ishte dhënë për mL. Pra, autoriteti kontraktues po përdor standarde të dyfishta për raste të njëjta dhe me këtë rast po bie në kundërshtim me vetë veprimet e saj”, është theksuar në ankesën e kompanisë “Liri Med”.
Më 27 shtator, SHSKUK-ja e ka anuluar aktivitetin e radhës, duke i eliminuar dy operatorët ekonomikë, me arsyetimin e njëjtë sikurse në herën e parë: njëri nuk ka dorëzuar Autorizim-Marketingun, ndërsa tjetri ka ofertuar me çmim më të lartë se që ka qenë buxheti.
Ky operator, në vitin 2021 u pati kontraktuar për furnizim me kontrast për periudhë dyvjeçare.
KOHA ka dërguar sërish pyetje në QKUK se si planifikohet që të zgjidhet situata me mungesën e këtij produkti, porse nuk ka marrë përgjigje.