Jo të gjithë qytetarëve që synojnë të kontrollohen në ambulancat specialistike në QKUK, u ofrohen shërbime. Mbingarkesa e ambulancave me pacientë i lë shpesh pa kontrolle një numër prej tyre. Një qytetare që të premten u ballafaqua me këtë situatë, thotë se detyrohet që ta kërkojë në një institucion privat mjekësor.
Në ambulancat specialistike në QKUK në të cilat çdo ditë drejtohen qindra qytetarë, një mjek i pranon për vizitë vetëm 20 pacientë.
Kjo është arsyeja që një qytetareje e cila qe disa javë ka dorën në allçi, iu pamundësua të premten realizimi i kontrollit të radhës në ambulancën specialistike të Ortopedisë.
Në këtë ambulancë termini për vizita nuk mund të caktohet paraprakisht, e për pasojë pacientja që foli në kushte anonimiteti, tha se pavarësisht që priti fillimisht në radhë për t’u pajisur me një numër rendor, nuk arriti të kontrollohej.
“Kesh dje para orës 7 diku, edhe para meje kanë qenë ndoshta më shumë se 100 njerëz tjerë duke pritur për ta marrë një numër. Një doktor aty i merr veç 20 pacientë. Domethënë, ata 20 pacientë i përfundon para orës 10 dhe nëse je me fat me e marrë numrin, mirë, nëse jo atëherë duhet me pritë deri në javën tjetër”, ka thënë ajo. “E javën tjetër prapë duhet të provosh fatin se a mund ta marrësh atë numër, njëfarë lloj loto, edhe pse aty është në pyetje shëndeti yt”.
Pacientja nga Prishtina tregoi se me situatë të njëjtë u ballafaqua çdo javë.
“Ka plotë njerëz që vijnë prej vendeve të ndryshme të Kosovës, ndoshta udhëtojnë dy orë për me ardhë në atë klinikë për të mbërri aty në ora 6, me pritë deri në, 8 me u konsultu edhe qysh e thash, ndoshta nuk mundesh me e marrë numrin hiç dhe duhesh me ardhë javën tjetër prapë”, ka thënë ajo.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të QKUK-së, Osman Hajdari, tha se të premten në ambulancat specialistike të ortopedisë kanë marrë trajtim 136 pacientë dhe theksoi se është duke u analizuar mundësia e zgjatjes së orarit në ambulanca specialistike.
“Asnjë pacient, asnjë qytetar nuk mbetet pa e marrë shërbimin në QKUK nëse rastet janë urgjente apo emergjente. Është vendosur një standard rreth 20 pacientë që secili pacientë ta ketë trajtimin e duhur në kuptimin specialistik. Është duke u shqyrtuar edhe mundësia edhe e zgjatjes së orarit për dy orë në ambulancat specialistike. Zgjatja e orarit do ta reduktojë në masë të madhe këtë fluks”, ka thënë Hajdari.
E, pacientja që nuk mundi të marrë trajtim në QKUK, theksoi se do të detyrohet që për ta realizuar kontrollin t’i drejtohet një institucioni privat shëndetësor.
“Unë kam mundur dje me e heqë gipsin dhe doktori nuk e ka pasur absolutisht parasysh këtë send hiç”, ka thënë kjo paciente. “Unë vendosa me shku në një klinikë private ku punon doktori në fjalë edhe aty kontrolli kushton 30 euro, mandej edhe fotografimet nëse janë të nevojshme me u bë, që kushtojnë ekstra”.
Ambulanca specialistike e Ortopedisë është e vetmja që ka mungesë të sistemit për caktimin paraprak të terminëve për kontrolle mjekësore.
Numër të madh të pacientëve e radhë të gjata në pritje ka tek ambulanca të tjera specialistike, por ato funksionojnë me terminë të caktuar paraprakisht.