Arbëri

QKUK-ja bëhet me aparaturën 1.5 milionë eurosh, nuk dihet data e saktë e funksionalizimit

Nëpërmjet një donacioni nga Arabia Saudite, QKUK-ja është pajisur me aparaturën moderne PET-SCAN, që e bën skanimin e detajuar të trupit, veçmas për rastet e pacientëve me kancer. Ani se aparatura tashmë është në QKUK, ende nuk dihet data e saktë se kur ajo do të nisë edhe të shfrytëzohet.

Me disa muaj vonesë, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar të premten e pranoi donacion pajisjet moderne SPECT/CT/PET, porse nuk dihet data e saktë se kur do të mund të nisë shërbimi me to.

Pajisja, e siguruar nga fondacioni “Jahjaga” që udhëhiqet nga ish-presidentja, Atifete Jahjaga, e bën skanimin e detajuar të trupit të njeriut për të zbuluar qeliza kancerogjene, aty ku metodat tjera dështojnë.

Ajo, sipas Jahjagës, do ta zvogëlojë ngarkesën financiare të QKUK-së dhe do të shpëtojë jetë.

“Për pacientët do të ofrohen diagnoza më të shpejta, trajtime më të sakta dhe gjasa më të mëdha për shërim dhe shpëtim jetësh. Kontributi juaj në Qendrën e Klinikës Universitare të Kosovës ka siguruar jo vetëm rezultate të prekshme, por edhe ka dëshmuar se në jetë dhe punë ne duhet të udhëhiqemi nga solidariteti”, ka thënë ish-presidentja.

Pajisja është dhuruar nga fondacioni filantropik “Alwaleed Philantropies”, nga Arabia Saudite.

Një pjesë të meritave për sigurimin e aparaturës prej 1.5 milion eurosh i morën presidentja Vjosa Osmani e ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

“Deri më tani, qytetarëve tanë u është dashur të udhëtojnë në rajon e përtej duke iu nënshtruar sfidave të shumta edhe shëndetësore edhe financiare, andaj kjo pajisje e re simbolizon një pikë kthesë ku njerëzit tanë mund të marrin kujdesin që nevojitet pikërisht këtu në shtëpi të rrethuar nga familja dhe më të dashurit e tyre”, u shpreh presidentja Osmani.

“Si ministër i Shëndetësisë nuk ka asgjë më të rëndësishme për mua se sa të sigurojmë gjithë bashkë shërbime të reja cilësore dhe të barabarta për qytetarët e Kosovës, duke iu falënderuar ndihmës së mbretërisë së Arabisë Saudite ky donacion të jetë mundësi dhe shpresë për qytetarët tanë”, ka deklaruar ministri Vitia.

E Fakir Spahiu, drejtori i Shërbimit të Mjekësisë Bërthamore, ka theksuar se puna me këtë pajisje mund të fillojë rreth fundit të muajit të ardhshëm.

“Procedura do të fillojë po shpresoj shumë shpejt, vetëm me sigurimin e materialit radioaktiv, i cili do të bëhet gjatë muajit maj, se procedura është nis më herët. Pa material PET CT, s’mund ta realizojmë, mirëpo SPET CT mundemi”, ka thënë ai.

PET/CT është mënyrë efektive për zbulimin e disa sëmundjeve, përfshirë kancerin, sëmundjet e zemrës dhe çrregullimet e trurit. Për kryerjen e procedurës merret një ilaç radioaktiv që tregon aktivitetin metabolik tipik e atipik të pacientit.

Pacientët që kanë pasur nevojë për diagnostikim të tillë, deri më tash i janë drejtuar një institucioni privat, në të cilën pagesa për shërbimin arrin deri në mbi 1 mijë euro.