Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) e ka vlerësuar të ngutshëm ratifikimi e Marrëveshjes me Danimarkën për dhënien me qira të Burgut të Gjilanit.
Njëra prej arsyeve pse e ka dhënë këtë vlerësim “mungesa e debatit publik lidhur me Marrëveshjen, përkatësisht zbatimin e saj dhe efektet në praktikë”.
“Përveç mungesës së debatit në Kuvend, për këtë Marrëveshje nuk është organizuar nga institucionet qeveritare asnjë diskutim me ekspertët e fushës, shoqërinë civile apo organizatat e të drejtave të njeriut. I vetmi diskutim për këtë Marrëveshje është organizuar nga QKRMT në vitin 2022, ku në prezantimet e tyre ekspertët ndërkombëtarë i patën paraqitur sfidat eventuale në zbatimin e kësaj marrëveshje”, thuhet në një reagim të kësaj Qendre të enjten, pasi që Kuvendi e miratoi këtë marrëveshje.
Tutje thuhet se aktualisht në Burgun e Gjilanit gjendet rreth 200 të burgosur, të cilët me rastin e ratifikimit të kësaj Marrëveshje duhet të zhvendosen në burgjet e tjera.
“Sistemi Korrektues në Kosovë momentalisht nuk ka hapësira të veçanta për vendosjen e të paraburgosurve, Qendrat e Paraburgimit në Prishtinë, Pejë, Prizren dhe Mitrovicë janë pothuajse të mbushura me të paraburgosur dhe aktualisht nuk ka vende të lira. Andaj, zhvendosja e të paraburgosurve nga Burgu i Gjilanit, duhet të bëhet me kujdes të veçantë në mënyrë që mos të bjerë standardi i ndërtuar ndër vite për vendosjen e të paraburgosurve”, thuhet në reagimin e QKRMT-së.
Në reagim thuhet se edhe Komiteti i OKB-së kundër Torturës ka shprehur shqetësim e tij në raport me këtë Marrëveshje duke vënë në spikamë rrezikun e shkeljes së të drejtave të njeriut, nëse të burgosurit transferohen për të vuajtur dënimin nga Danimarka në Kosovë.
QKRMT konsideron se Institucionet e Kosovës së bashku me partnerët ndërkombëtarë dhe organizatat për të drejtat e njeriut kanë punuar shumë për të përmirësuar kushtet e burgjeve dhe për ta afruar atë me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe për këtë arsye, sipas tyre, duhet që me kujdes të veçantë të fillojnë zbatimin e kësaj marrëveshjeje.
“QKRMT i bën thirrje Ministrisë së Drejtësisë, që fillimisht të bëjë zgjidhjen e duhur për vendosjen e të burgosurve që aktualisht gjenden në Burgun e Gjilanit, në mënyrë që vendosja dhe trajtimi i tyre të jetë në përputhje me standardet e të drejtave të njeriut. Po ashtu QKRMT bën thirrje që të ruhen standardet e krijuara dhe mos të lejohet që të krijohen standarde të dyfishte të kushteve të të burgosurve brenda Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.
QKRMT-ja gjithashtu ka kërkuar nga institucionet që organizatave të shoqërisë civile t’u mundësohet monitorimi i të drejtave të njeriut në burgun e Gjilanit, ku do të transferohen të burgosurit nga Danimarka, siç thuhet, me qëllim të garantimin e aplikimit të standardeve dhe rregullave ndërkombëtare për personat e privuar nga liria.