Arbëri

QKMF-të kërkojnë ndryshimin e U. A. për punësimin e pediatrit, gjinekologut dhe neonatologut

Qendrat kryesore të mjekësisë familjare kanë shprehur kritika dhe kanë kërkuar ndryshimin e udhëzimit administrativ për kujdesin Parësor Shëndetësor që lejon punësimin e pediatrit, gjinekologut dhe neonatologut vetëm nëse funksionon materniteti. Sipas tyre, ndryshimi i këtij udhëzimi është i domosdoshëm, meqë mjeku familjar nuk është i kualifikuar të përcjellë gjendjen shëndetësore të fëmijëve

Miratimi i udhëzimit administrativ nga Ministria e Shëndetësisë në vitin 2020 për kujdesin parësor shëndetësor që lejon punësimin e pediatrit, gjinekologut dhe neonatologut në qendrat kryesore të mjekësisë familjare vetëm nëse funksionon materniteti, po konsiderohet jo i duhur.

Për këtë, udhëheqës të QKMF-ve, por edhe qytetarët kërkojnë ndryshim të udhëzimit administrativ.

Drejtori i QKMF-së në Fushë-Kosovë, Remzi Shala, thotë se kjo qendër ka dy vjet që ka mungesë të mjekut pediatër dhe se punën e tij e kryejnë mjekët familjarë.

“Ne kërkesat i kemi bërë si institucione, kërkesat i kemi bërë edhe përmes kuvendit komunal të Fushë-Kosovës, që të punësohet pediatër, por një kërkesë e tillë nuk është aprovuar nëse kemi mundësi ose jo të punësojmë pediatër. Do të ishte e nevojshme për komuna specifike. Mjekët familjarë janë të specializuar në kuptim të përcjelljes së gjendjes shëndetësore, por për komplikime më të rënda nuk janë të kualifikuar. Është e nevojshme që në një formë të na lejohet pranimi i pediatrit në Qendrën tonë”, ka thënë Shala.

Për mungesë të mjekut pediatër në QKMF-në në Fushë-Kosovë, kritika kanë shprehur edhe qytetarët.

“Është shqetësim, sepse për çdo gjë duhet gjithmonë privat m’i dërgu. Ma mirë me qenë një pediatër këtu ndryshe është. E tash më mirë është me pasë një pediatër në të shtetit, sepse shpeshherë po kemi mundësi financiare e shpeshherë nuk kemi. Tash unë vajzën duhet me dërgu te mjekët e përgjithshëm, sepse pediatër nuk ka. Problem tjetër po është se po duhet me pritë me një të moshuar, ku me ditë sa vjet i ka, po duhet me pritë fëmija me 2-3 vjet, shqetësuese është shumë”, ka thënë Gzime Mërlaku, banore e Fushë-Kosovës.

Përveç Komunës së Fushë-Kosovës, mungesë të gjinekologut ka edhe në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan.

“Konfirmojmë se në Qendrën tonë të Mjekësisë Familjare ka mungesë të Gjinekologut në orarin e pasdites. Në Qendrën tonë ka gjinekolog vetëm në orarin e paradites. Por, punësimi i një gjinekologu në orarin e pasdites është i domosdoshëm”, thuhet në përgjigjen e kësaj qendre.

E drejtori i QKMF-së në Prishtinë, Bujar Gashi, thotë se pas pensionimit të mjekëve pediatër, edhe kjo qendër do të përballet me mungesë të specialistëve shëndetësorë.

“Tani për tani kemi 4 pediatër, të cilët funksionojnë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare është një njësi e veçantë, në kuadër të kësaj qendre dhe ajo do të funksionojë deri në pensionimin e pediatrit të fundit, kur do të shkojë në pension”, ka thënë Gashi.

Në Ministrinë e Shëndetësisë përveç se treguan se kjo është e rregulluar me udhëzim administrativ, nuk dhanë detaje të tjera për KOHËN nëse pritet të bëhet ndryshimi i këtij udhëzimi.