Arbëri

QIKA me aksion kërkon që produktet menstruale t’i nënshtrohen normës së ulur të TVSH-së

QIKA

Foto: Alban Bujari

Organizata QIKA (Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion) nëpërmjet një aksioni simbolik ka kërkuar që produktet menstruale t’i nënshtrohen normës së ulur të Tatimit mbi Vlerën e shtuar dhe që të lirohen nga tatimi doganor.

Para objektit të Qeverisë, kjo organizatë ka vendosur një letër në të cilën paraqitet “një vendim i ministrit të Financave, Hekuran Murati”.

Kërkesa e QIKA-ve vjen pas peticionit prej 7500 nënshkrimesh kundër taksës për produktet menstruale. Kjo organizatë konsideron që 18 për qind TVSH është shumë e lartë për gratë e papuna dhe keqpaguara. 

“Unë, Hekuran Murati, Ministër i Financave, Punës dhe Transfereve në qeverinë socialdemokrate, jam plotësisht i vetëdijshëm se kam detyrë për të hartuar dhe udhëhequr politika që rrisin mirëqenien e qytetarëve. Duke qenë një mendje eksperti e shpirt aktivisti, mbi të gjitha si ekonomist me nam, e njoh shkallën e lartë të papunësisë së grave në Kosovë. Prandaj, sigurisht se kam ndjeshmëri dhe jam i preokupuar me nivelin e varfërisë menstruale. Unë besoj se produktet menstruale janë domosdoshmëri, andaj taksimi i tyre nga shteti me 18 për qind taksë është diskriminues. Gjithashtu, e di se ligjërisht obligohem për të zbatuar kërkesat për Buxhetim të Përgjegjshëm Gjinor, në kuadër të Ligjit për Barazi Gjinore”, thuhet në hyrjen e letrës që i kanë vënë QIKA-t objektit të Qeverisë.

“Vendimi” përmban tri pika: Të zgjerohet lista e produkteve me normë të reduktuar, ashtu që produktet menstruale (pecetat dhe tamponët) të shtohen në listën e artikujve që mund t’i nënshtrohen normës së ulur të TVSH-së; të ndryshohet udhëzimi administrativ për zbatimin e ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar dhe produktet menstruale të lirohen nga tarifat doganore.

Në arsyetim, QIKA ka thënë se “qasja në produkte menstruale është e drejtë themelore e të gjitha grave dhe personave që kanë menstruacione”.