Arbëri

Qeveritarët u flasin mërgimtarëve për “sukseset” e tyre, cilësohet si fushatë parazgjedhore

Vizitën në margjinat e Javës së Nivelit të Lartë të sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës, liderët e Kosovës e shfrytëzuan edhe për takime me mërgatën shqiptare. Kryeministri Albin Kurti me vartës tij para komunitetit shqiptar një pjesë të fjalimeve ia kanë kushtuar qeverisjes në Kosovë, kur kanë mbetur disa muaj deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Ndaras prej qeveritarëve me mërgatën takime ka pasur edhe presidentja Vjosa Osmani.

Krahas takimeve zyrtare, liderët kryesorë të shtetit një pjesë të agjendës nga vizita në Shtetet e Bashkuara ua kanë dedikuar tubimeve me shoqata dhe organizata shqiptare.

Por ato janë zhvilluar ndaras. Në njërën anë, kryeministri Albin Kurti me vartësit e tij, e në anën tjetër edhe presidentja Vjosa Osmani njoftoi për takimet me mërgatën shqiptare.

Listës së gjatë me takimet që tha se i zhvilloi në SHBA, Osmani ia ka bashkëngjitur edhe ato me diasporën.

“Organizimin e ngjarjeve të shumta me mërgatën tonë të jashtëzakonshme, përfshirë: Tubimin e organizuar në Staten Island nga shoqata Ulqini dhe shoqata të tjera shqiptare; Tubimin e organizuar me komunitetin në kishën shqiptare në NY; Vizitën në shoqatën shqiptaro-amerikane Vatra; Darkën me ndërmarrës dhe veprimtarë shqiptarë; Takimin me studentë të universiteteve më prestigjioze të “Ivy League”; Takimin me nxënës e mësues të shkollave shqipe në New York, nën organizimin e Mark Gjonaj””.

E kryeministri Kurti, së bashku me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, u pritën në një organizim, të cilin qeveria e cilësoi si madhështor, në Qendrën Kulturore Shqiptaro-Amerikane “Hasan Prishtina”.

Pjesë e këtij tubimi ishte edhe Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në New York, Blerim Reka. Prej aty Kurti ka folur edhe për qeverisjen e tij.

“Ai (Kurti) tha se gjatë këtyre tre vjet e gjysmë të qeverisjes, jemi përpjekur që të japim shembullin e kontributit për vendin tonë, ashtu që të investojmë aty ku ka më së shumti nevoja. Ai shtoi se vendi ynë me një qeverisje progresiste, ka ngritur platforma që kanë siguruar më shumë vende të reja pune, edhe përmes iniciativave të qeverisë si platforma Superpuna. Ai përmendi edhe mbështetjen për gratë dhe vajzat, për punësimin dhe rritjen e bizneseve të tyre, duke shtuar rëndësinë e fuqizimit të grave brenda shoqërisë. Më tej, kryeministri foli edhe për të arriturat në eksportet dhe investimet, ndërsa potencoi se është rritur buxheti i shtetit dhe është investuar në fushat e sektorët kyç si mbrojtje, arsim, edukim, shëndetësi, bujqësi e teknologji. Theksoi gjithashtu dhe sundimin e ligjit e luftimin e krimit dhe korrupsionit. Shtoi se bazuar edhe në raportet e organizatave ndërkombëtare, dëshmohet se Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik e demokratik të shtetit”, u tha nga Zyra e Kryeministrit.

Ndërkaq ministrja Gërvalla citohet t’u ketë folur mërgimtarëve se kah duhet të rreshtohen.
“Siç ka ditur mërgata jonë e çmuar të rreshtohet pas presidentit Rugova në luftën për liri dhe pavarësi, siç kemi ditur të kontribuojmë të gjithë së bashku në mbrojtën dhe çlirimin e vendit përmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ashtu edhe sot do të dimë të rreshtohemi pas institucioneve të Republikës së Kosovës të cilat garantojnë një përparim të republikës sonë, një të ardhme më të mirë dhe një luftë të vendosur për të vërtetën”, tha Gërvalla.

Për analistin Arbnor Sadiku, kjo është fushatë parazgjedhore e partisë në pushtet, duke kërkuar edhe votën e diasporës.

Zgjedhjet e reja në Kosovë do të mbahen më 9 shkurt të vitit të ardhshëm, ndërkaq zyrtarisht fushata zgjedhore është caktuar nga 7 janari.