Arbëri

Qeverisja e re e Prishtinës mban projektin e pritoreve të Ahmetit, me disa ndryshime

Është vendosur kohët e fundit dhe duket njëjtë si pritoret që nisën të vendoseshin në kohën e ish-kryetarit Shpend Ahmeti. Kjo, pavarësisht që qytetarët u ankuan për mosmbrojtje të duhur nga shiu.

Qytetarët thonë se pritoret nuk kanë hapësira të mjaftueshme për t’i strehuar të gjithë udhëtarët që presin autobusët.

“Këtu ka edhe shumë banorë, lagjja ‘Qafa’ ka banorë. Kjo pritore nuk është mjaftueshëm e madhe, sepse nuk po i zë udhëtarët. Mirëpo, po strehohen te kafenetë kur po bie shi ose borë dhe po e presin autobusin”, ka thënë Xhevat Bekteshi.

“Unë mendoj se këto pritoret që i ka vendosur Komuna e Prishtinës janë shumë të mira, sepse vjen me prit autobusin këtu edhe është stacioni mirë. Sa i përket hapësirës, disa stacione i kanë e disa nuk e kanë hapësirën e nevojshme”, ka deklaruar Bekim Alshiqi.

Në Drejtorinë e Shërbimeve Publike thonë se projekti është i trashëguar.

“Është e vërtetë që ne e kemi trashëguar një projekt të pritoreve, projekt i cili ka pasur shumë ankesa nga qytetarët. Mirëpo, në të njëjtën kohë edhe në ekzekutivin e infrastrukturës dhe në aspektin teknik ka pasur tepër probleme, të cilat janë shfaqur edhe nga qytetarët. Ne kemi vendosur bashkë me kryetarin të kalojmë në një faze tjetër, sepse projekti që e kemi trashëguar ka paraparë 150 pritore të autobusëve në kryeqytet të formateve A, B, C”, ka thënë drejtori i Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu.

Pritorja “te katedralja” është e para që u ndryshua nga qeverisja e tanishme e Prishtinës. Ajo u rrit në madhësi, por ende nuk është tërësisht e funksionalizuar. I mungojnë tabelat informuese për ardhjen e autobusëve.

“Ne e kemi ndryshuar formatin A, që është më i rëndësishmi. Pritorja e cila është te katedralja, që është komplet e mbyllur, ka sipër gjelbërim. Tani çfarë ka mbetur të testohet është pjesa digjitale me të cilën bëhet lidhja e pritores me autobusët e ‘Trafikut Urban’, por në të njëjtën kohë do të bëhet ndërlidhja me aplikacionin e ‘Trafikut Urban’. Përmes kësaj qytetarët do ta kenë mundësinë të njoftohen me kohë për vonesat e shumë gjëra të tjera”, ka deklaruar Musliu.

Sipas Musliut, projekti i pritoreve do të përfundojë në tetor të këtij viti.

“Ne planifikojmë që si projekt i pritoreve të përfundojmë deri në muajin tetor, kemi shfrytëzuar dhe kontratat e tjera në kuadër të Komunës së Prishtinës me qëllim që të dalë sa më mirë. Ankesat e qytetarëve ishin sepse, sipas tyre, pritoret në kryeqytet nuk ishin të përshtatshme gjatë stinës së dimrit për arsye që nuk kanë qenë të mbyllura”, ka shtuar ai.

Pritoret e reja do të jenë të pajisura edhe me softuerë dhe aplikacione që do t’i njoftojnë udhëtarët e linjave të “Trafikut Urban” edhe për kohën se kur do të vijë autobusi, si dhe për vonesat e tyre.