Nga Qeveria nuk e vlerësojnë alarmante situatën me ujin e liqenit të Badocit dhe nuk e shohin të arsyeshme krijimin e grupeve punuese. Shkaku i vlerave të rritura të manganit, tash e një javë qytetarët që furnizohen nga ky liqen janë sugjeruar të mos e përdorin atë për pije. Në kompaninë rajonale të ujësjellësit “Prishtina” janë dyshime se vlerat e manganit në ujë janë rritur nga temperaturat jostabile dhe miniera e Kishnicës
Tash e shtatë ditë, qytetarët që furnizohen me ujë nga liqeni i Badocit nuk mund ta pinë e as ta përdorin për ushqim atë, për shkak të vlerave të shtuara të elementit kimik të quajtur mangan.
Për një javë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka alarmuar dy herë se uji është i papijshëm, mirëpo Qeveria nuk e vlerëson si kritike situatën.
Zëvendësministri i Mjedisit, Avni Zogiani, ka thënë se nuk ka nevojë të krijohet ndonjë grup punues.
“Nuk është e nevojshme, sepse as që janë kaluar vlerat e lejuara me standarde evropiane. Thjesht ka pasur rritje, por asnjëherë nuk ka kaluar vlerat e direktivave evropiane të transportuara në legjislacionin kosovar”, ka deklaruar Zogiani.
Sipas analizave laboratorike, vlerat e manganit vazhdojnë të jenë të larta, pavarësisht punimeve në drenazhim e pastrim të filtrave.
Kryeshefi i kompanisë rajonale të ujësjellësit “Prishtina”, Arsim Fetahu, ka bërë të ditur se të martën ka takuar zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë, asaj të Ekonomisë, si dhe përfaqësues të IKSHPK-së për të gjetur një zgjidhje.
E zëdhënësja e kësaj kompanie ka folur edhe për dyshimet. Ka përmendur minierën e Kishnicës.
“Mangani i cili u zbulua në liqenin e Badocit është një dukuri natyrore, quhet një dukuri hemiotermike që ndodh zakonisht kur netët janë të ftohta dhe ditët më të nxehta. E aty pari pranë liqenit gjendet edhe miniera e Kishnicës, e cila posedon metale më të rënda. Gjendja nuk është alarmante, po shpresojmë që brenda dy-tri ditësh do të normalizohet”, ka deklaruar Arjeta Mjeku, zëdhënëse e KRU “Prishtina”.
Drejtori i minierës së Kishnicës, Hysni Beqiri, ka mohuar çdo përgjegjësi. Ai ka treguar se miniera është jashtë funksionit.
“Miniera e Hajvalisë dhe ajo e Badocit tashmë janë pasive, Trepça SH,A, nuk posedon licencë për eksploatim për shkak të përmbytjes së tyre nën ujë dhe nuk zhvillon asnjë aktivitet minerar në këto lokacione. Morfologjia e terrenit të këtyre dy minierave pasive që janë afër liqenit te Badocit, nuk mund të ketë ndikim në ujëra nëntokësore të liqenit të Badocit, për shkak se relievi i tyre ka kuota më të ulëta se liqeni”, ka sqaruar Beqiri.
Për dallimin në temperaturë mes natës e ditës, që është dyshimi tjetër i KRU “Prishtina” për rritje të vlerave të manganit, meteorologu Besim Aliu ka lënë pak mundësi të ketë ndikim në këtë situatë.
“Ndoshta mund edhe të ndodhë, mirëpo ne mund të themi dhe jemi dëshmitarë të asaj që netët nuk janë shumë të ftohta në kontrast me temperaturat e ditës. Madje mund të themi që kemi temperatura verore në këtë kohë”, ka theksuar Aliu.
Liqeni i Badocit furnizon me ujë të pijshëm 20 për qind të kryeqytetit.