Arbëri

Qeveria s’tregon kur themelohet komisioni i ri për kufirin, vonesat shihen të dëmshme

Për dy nga çështjet më sfiduese e të ndjeshme për Kosovën, shteti tash e një vit vazhdon të mos e ketë funksional Komisionin për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit.

Korrigjimi i gabimeve të identifikuara në demarkacionin me Malin e Zi, si dhe përgatitja për shënjimin e kufirit me Serbinë presin të trajtohen nga komisioni i ardhshëm.

Por, çdo ditë e kaluar pa funksionalizim të komisionit, ish-anëtari i komisionit paraprak Florim Isufi e vlerëson të dëmshme në përgatitjen e shtetit për këto dy procese të rëndësishme.

“Konsideroj që është jo veç humbje kohe por është pak a shumë edhe dëmtim i palës kosovare në raport me palët tjera që duhet të takohesh me ta. Arsyeja është vetëm te koha, nëse një komision cilido qoftë ai me çfarëdo lloj përbërje të na krijohet sa më herët dhe ka mundësi sa më të madhe t'i qaset dokumentacioneve të caktuara, të përgatitet, të bëjë platformë të caktuar të bisedimeve me palë të tjera, normal që do të jetë shumë më mirë”, tha Isufi.
 

Në rast se veprohet ndryshe, sipas gjeografit Isufi, problemet që lindën me Malin e Zi rrezikohet të shfaqen edhe me Serbinë, marrë parasysh pretendimet e saj territoriale ndaj Kosovës.

“Nëse një komision i tillë bëhet në momentin e fundit, periudha kohore për t'u përgatitur mund të jetë e shkurtër dhe pastaj lindin ato problemet të cilat kanë lindur edhe me Malin e Zi që i ka shkaktuar dëme të pariparueshme Kosovës dhe që është shumë vështirë të merresh me atë problematikë edhe njëherë sepse ka kaluar një periudhë e gjatë kohore”, tha ai.

Me emërimin e komisionit të ri, sipas njohësve të çështjeve kadastrale, duhet të ndalet praktika e ndërprerjes së mandatit të tij.

“Aspekti kadastral është vetëm një çështje ndihmëse kur është fjala për kufijtë ndërkombëtarë, gjegjësisht kufijtë ndërshtetëror. Komisioni duhet të jetë i njëjti si për kufirin me Malin e Zi si për kufirin me Serbinë e Maqedoninë. Do të thotë komisioni duhet të jetë një, i vetëm, bazuar në ligjin e Kosovës”, tha Hamit Basholli, njohës i çështjeve kadastrale.

Komisioni paraprak ishte shkarkuar nga ish-kryeministri Avdullah Hoti në korrik të vitit 2020.

Qeveria e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka treguar KOHËS se pse nuk është themeluar komisioni i ri as pas pesë muajsh nga formimi i Ekzekutivit.

Se kur do të ndodhë kjo nuk tregoi as kryeministri Albin Kurti një muaj më parë në Kuvend, kur tha se do t’i korrigjojnë gabimet në demarkacionin me Malin e Zi.

Marrëveshja për kufirin me këtë shtet u miratua më 2018, nën tymin e gazit lotsjellës të hedhur nga Vetëvendosje në opozitë, e cila kundërshtonte përmbajtjen e saj.