Arbëri

Qeveria s’pajtohet me raportet që e nxjerrin Kosovën mes më të varfrave në rajon e Evropë

Sipas Bankës Botërore, Kosova mbetet prapa fqinjëve me brutoproduktin vendor për kokë banori, i cili arrin vetëm 5.889 euro. Por, kryeministri Albin Kurti, e ka thënë të kundërtën. “Kosova ka bërë hapa enormë të daljes nga varfëria. Shkaqet janë të dyllojshme sa i përket gjendjes së përgjithshme ekonomike në Kosovë. Në një është se ne jemi vend i dalë nga lufta...Ajo çfarë po ndodhë me qeverinë tonë është që nga ajo qasja centrifugale po kalojmë tek centripetale, është duke u grumbulluar pasuria e vendit tonë. Kosova kurrë nuk ka peshuar më rëndë ekonomikisht, por nëse shikon brutoproduktin vendor për kokë banori gjithashtu kemi rritje shumë të madhe. Për 50 për qind është rritur BPV në Kosovë krahasuar me vitin e parë parapandemik 2019”, ka thënë ai

Florinda Abazi

 

Raporti i Bankës Botërore (BB) për vendet e Ballkanit Perëndimor ka treguar se shkalla e varfërisë në Kosovë vazhdon të jetë e lartë. 

Në të përmenden disa aspekte që po ndikojnë në këtë aspekt, duke i përfshirë stimulimin për emigrim pas liberalizimit të vizave më 1 janar 2024, pagat e ulëta si dhe përfshirjet gjinore brenda vendeve të punës. 

Edhe në pulsin publik, i cili realizohet dy herë në vit nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, ka rezultuar që ndër shqetësimet kryesore të qytetarëve janë varfëria dhe çmimet e larta në produktet esenciale.

Se ka varfëri në Kosovë këtë e ka konfirmuar edhe zëvëndësmenaxherja e Bankës Botërore për Kosovë, Jane Sprouster, duke thënë se Kosova konsiderohet si ndër vendet më të varfra në rajon e Evropë, me shkallë të varfërisë mbi 19 për qind. 

Fidan Qerimi, njohës i ekonomisë, ka thënë se kjo ka ndodhur pasi që nuk ka zhvillim të dëshirueshëm të ekonomisë së Kosovës. 

“Mendoj që për vitin 2025 nuk do kemi ndonjë ndryshim në ekonomi. Edhe ashtu është një vit zgjedhor ku të gjitha proceset tek ne faktikisht varen nga aspekti politik, sepse ndikimi i politikës është jashtëzakonisht i madh edhe në ekonomi. Kështu që bizneset janë të orientuara kah këto zgjedhje dhe pastaj deri në krijimin e qeverisë së re dhe fillimin e punës së qeverisë së re do të kalojë një periudhë ku vendi do të humb ekonomikisht disa muaj e disa muaj janë jashtëzakonisht të vlefshëm në aspektin GDP-së së përgjithshme vjetore”, ka thënë ai.

Sipas Bankës Botërore, Kosova mbetet prapa fqinjëve me brutoproduktin vendor për kokë banori, i cili arrin vetëm 5.889 euro.

Por, kryeministri Albin Kurti, e ka thënë të kundërtën.

“Kosova ka bërë hapa enormë të daljes nga varfëria. Shkaqet janë të dyllojshme sa i përket gjendjes së përgjithshme ekonomike në Kosovë. Në një është se ne jemi vend i dalë nga lufta...Ajo çfarë po ndodhë me qeverinë tonë është që nga ajo qasja centrifugale po kalojmë tek centripetale, është duke u grumbulluar pasuria e vendit tonë. Kosova kurrë nuk ka peshuar më rëndë ekonomikisht, por nëse shikon Bruto Produktin Vendor për kokë banori gjithashtu kemi rritje shumë të madhe. Për 50 për qind është rritur BPV në Kosovë krahasuar me vitin e parë parapandemik 2019”, ka thënë ai. 

Ndërsa ekonomisti Qerimi ka theksuar se Kosova do të avanconte ekonomikisht po qe se e bën lehtësimin e masave investuese për vendet e huaja, i përkrah bizneset e vogla dhe të mesme si dhe nëse e bën ndryshimin e procedurave për vjeljen e TVSH-së nga ana e bizneseve.