Një ditë më parë, kryeministri Kurti paralajmëroi se më 1 korrik do të finalizohet drafti i parë i Projektligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Por, të enjten, në Qeveri dhe as në Ministrinë e Drejtësisë nuk ofruan informacione mbi përmbajtjen e draftit. Madje, përmbajtja nuk u është përcjellë as anëtarëve të Grupit punues për hartimin e këtij dokumenti
Tek fliste për arritjet në 100 ditët e para të punës, kryeministri Albin Kurti tha një ditë më parë se Qeveria ka ndërmarrë hapa për ta vendosur bazën e një reforme të rëndësishme në drejtësi, me theks te luftimi i korrupsionit.
Kësaj ia shoqëroi këtë paralajmërim: “Nesër, pra më 1 korrik, finalizohet drafti i parë i Projektligjit për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme”.
Në ditën e parë të korrikut nuk u bë publik drafti i dokumentit, që njihet edhe si Ligji antimafia.
Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë se draftin nuk e kanë pranuar as anëtarët e Grupit punues, përgjegjës për hartimin e këtij dokumenti.
“Instituti i Kosovës për Drejtësi e ka përfaqësuesin në Grupin punues për hartimin e Projektligjit, pas miratimit të koncept-dokumentit për pasurinë e pajustifikueshme. Deri më tani janë mbajtur dy takime të Grupit punues. Sidoqoftë, deri në këtë fazë, së paku ne, nuk kemi informacion ose së paku nuk na është dërguar Projektligji, draftligji, siç është proklamuar në publik”, i ka thënë KOHËS Miftaraj.
Koncept-dokumenti i cili trajton çështjen e konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme parasheh që me ligj të krijohet mundësia që pa aktgjykim dënues ta konfiskojë secilën pasuri të pajustifikueshme të zyrtarëve që ka vlerën mbi 5 mijë euro.
Dokumenti ofron tri opsione për adresimin e problemit dhe sugjeron që opsioni i tretë të merret në konsideratë.
“Ky opsion sugjeron që konfiskimi civil të realizohet mbi bazën e identifikimit të diskrepancës në mes të pasurisë së paligjshme të personave të dyshuar dhe të ardhurave të tyre. Ky proces do të përfshijë si pasurinë që nuk është deklaruar fare, ashtu edhe pasurinë që është deklaruar, por nuk korrespondon me të ardhurat legjitime. Kjo diskrepancë duhet të ketë vlerë jo më të vogël se 5,000.00 euro, në mënyrë që të përdoret si indikator për inicimin e procedurës së konfiskimit civil”, thuhet në koncept-dokument.
Në Ministrinë e Drejtësisë nuk kanë treguar se cili opsion i koncept-dokumentit është akomoduar në draftin e parë të Projektligjit.
“Projektligji ende është draft inicial, i parë, dhe në këtë fazë ne jemi duke punuar dhe konsideruar analizat të cilat i përmban koncept-dokumenti, në përputhje me qëndrimet tona për këtë çështje”, thuhet në një përgjigje me e-mail të Ministrisë.
E, Ehat Miftaraj konsideron se drafti final duhet t’i akomodojë disa kërkesa të lansuara nga ndërkombëtarët dhe shoqëria civile.
“Po flasim për një ligj i cili prek të drejtat dhe liritë e njeriut, prek aspekte të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e kur kësaj i shtohet fakti se partnerët ndërkombëtarë, me theks të veçantë Zyra e Bashkimit Evropian, kamë kërkuar që gjatë hartimit të këtij ligji të kemi kujdes, së paku në dy fusha që lidhen me sigurinë juridike dhe të drejtat dhe liritë e njeriut, po edhe me aspekte kushtetuese, unë besoj që Grupi punues, para miratimit të këtij ligji, siç është e përcaktuar edhe me standardet minimale, duhet të jetë në diskutim publik, në mënyrë që grupet e interesit, qytetarët, t’i japin komentet në lidhje me këtë iniciativë”, ka theksuar ai.
Bazuar në Planin Legjislativ, Projektligji do të dërgohet për miratim në Qeveri më së largu në dhjetor.
Por, në Ministrinë e Drejtësisë thanë të jenë duke punuar me intensitet në të dhe se, shkaku që Projektligji përbën prioritet, ai mund të përcillet për miratim në Qeveri edhe para fundvitit.