Arbëri

Qeveria s’e komenton raportin e SHBA-së për Ujmanin

Ujmani - Marreveshja e Washingtonit

Qeveria e Kosovës po vazhdon të heshtë për raportin e fizibilitetit për Ujmanin të nxjerrë nga Departamenti Amerikan për Energji.

Që nga e mërkura, kur u publikua ky raport, asnjë koment nuk është bërë nga Ekzekutivi.

Pa komente deri tash rreth kësaj çështjeje kanë qenë edhe institucionet në Serbi.

Sa ishte në opozitë, Albin Kurti e kishte kundërshtuar përfshirjen e pikës për Ujmanin në Marrëveshjen e Washingtonit.

Avdullah Hoti, që edhe e nënshkroi në shtator marrëveshjen në Shtëpinë e Bardhë, pati edhe një kërkesë ndaj kryeministrit të tanishëm.

“Kur është nënshkruar kjo marrëveshje është kritikuar nga të gjitha partitë opozitare me motive politike jo fisnike. Dje Qeveria ka pranuar studimin e fizibilitetit për Ujmanin. Ka qenë absurde të deklarohet se kjo Marrëveshje cenon pavarësinë e Kosovës. Tash dua ta pyes Qeverinë a e cenon sovranitetin studimi i fizibilitetit për liqenin e Ujmanit? E udhës do të ishte të kërkojnë falje. U pata thënë atëherë të mos nguten edhe sot u them sepse koha po nxjerr gjithçka në dritë. Ne do të kërkojmë edhe debat parlamentar sa i përket realizimit të kësaj marrëveshje”, ka thënë Hoti.

Ndërkaq implementim të të gjitha zotimeve të nënshkruara me SHBA-në ka kërkuar edhe Enver Hoxhaj nga PDK-ja.

“E mbështesim Marrëveshjen e Washingtonit dhe kërkojmë nga Qeveria ta zbatojë një marrëveshje të tillë. Aty ku është Amerika ka siguri për Kosovën edhe në rrafshin politik, edhe energjetik, edhe të resurseve natyrore”, është shprehur ai.

Raporti amerikan ka nxjerrë katër rekomandime për shfrytëzimin e Ujmanit nga palët e përfshira, të cilat parashohin përmirësimin e infrastrukturës së liqenit, formimin e një komisioni lumor, implementimin e një sistemi mbikëqyrës dhe përmirësimin e parashikimit të furnizimit me ujë.