Arbëri

Qeveria prezanton skemën një i punësuar për çdo familje në nevojë

Ministri i Financave, Hekuran Murati, njoftoi të hënën se me qëllim që të rritet numri i të punësuarve , është marrë vendim mbështetja e bizneseve që punësojnë anëtarët e familjeve në nevojë.

Ai, në një konferencë për media, tha se është iniciuar skema “Qeveria për Familjet”, target i së cilës sipas tij, janë familjet në nevojë, duke ua mundësuar atyre që ta kenë të paktën një anëtar të punësuar.

“Bizneseve do t'iu subvencionohet deri në 70% e pagës bruto (maksimumi 300 euro) për gjashtë muaj me radhë. Agjencia e Punësimit të Republikës së Kosovës ofron listën e personave tek bizneset/entitetet të cilët pastaj përzgjedhin personin që do t'i angazhojë bazuar në nevojat dhe profilet e kërkuara”, tha Murati.

Ai tha se në rast se një kompani i ka 10 punëtorë, nëpërmjet kësaj mase mund t’i punësojë 3 punëtorë, që duhet të jenë të regjistruar në Agjencinë e Punës.

“Punëkërkuesit për të përfituar për këtë masë duhet të jenë mbi 18 vjeç e të mos kenë të punësuar dikë në familje”, shtoi ai.

“Si qeveri kemi garuar me dy shtylla kryesore: për punë dhe drejtësi. Siç e ka prezantuar edhe kryeministri, gjatë javës kishim shumë projektligje, kemi një masë të re e që është punësimi. Nuk është se ka qenë e lehtë gjatë dy viteve të fundit pasi që kemi pasur kriza vazhdimisht, kishim pandeminë, energjinë, e tani kemi rritjen e çmimeve. Si qeveri jemi munduar të marrim masa, kemi pasur pakon e ringjalljes ekonomike. Kemi dorëzuar në Kuvend edhe ligjin e pagës minimale e në rast të kalimit do të mundësojë rritjen e pagës minimale pas 11 vitesh”, tha Murati.

Ai theksoi se masa për punësim do të zgjasë aq sa është e nevojshme për familjet me asistencë sociale.

“Jemi të gatshëm që t’i mbulojmë të gjitha këto familje. Çështja tjetër me masa të tjera siç e keni pa një vendim per naftën tashme po ka efekt”, theksoi ai.