Këshilli i Evropës

Qeveria pret votim të suksesshëm në KiE, njohësit i druajnë prolongimit të procesit

Në Qeverinë e Kosovës kanë thënë se janë duke vazhduar me angazhim intensiv në sigurimin e mbështetjes për votim të suksesshëm më 16 prill në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Megjithëse konsiderohet rrethanë e favorshme fakti se që nga viti 1951 Komiteti i Ministrave ka rikonfirmuar opinionet e Asamblesë Parlamentare, njohës të zhvillimeve thonë se Kosovës mund t’i përsëritet skenari i liberalizimit të vizave

Qeveria e Kosovës pret votim të suksesshëm në dy fazat e ardhshme në Këshillin e Evropës, duke iu referuar edhe faktit se nga viti 1951, Komiteti i Ministrave nuk ka marrë vendim ndryshe nga opinioni që ka dhënë Asambleja Parlamentare.

Diskutimi për Kosovën në Asamblenë Parlamentare më datën 16 prill është konfirmuar edhe në agjendën e përditësuar të këtij institucioni.

“Asambleja gjithashtu duhet të miratojë opinionin e tij statutor për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, shkruan në faqen zyrtare të KiE-së.

Në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës thanë se janë duke vijuar angazhimin intensiv për sigurimin e votave të domosdoshme, tek e vlerësojnë faktin se nuk ka parakushte deri në anëtarësimin e plotë.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës po vazhdon me angazhimin intensiv në sigurimin e mbështetjes për votim të suksesshëm më 16 prill në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe për përfshirje në agjendë dhe votim të suksesshëm në Ministerialin e Këshillit të Evropës në muajin maj. Lobimi i deritanishëm ka rezultuar me sukses për faktin që opinioni i miratuar nga Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci nuk parasheh parakushte deri në anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka thënë zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu.

“Duke e pasur parasysh se që nga viti 1951, kur APKiE jep opinion mbi anëtarësimet e shteteve në KiE, Komiteti i Ministrave nuk ka marrë vendim ndryshe nga opinioni i APKiE, ne besojmë që edhe dy fazat e ardhshme do të duhej të përmbylleshin me sukses këtë vit”.

Ish-ambasadori dhe ish-drejtori për Ballkanin në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Sylë Ukshini, ka përmendur rrethanat që mund t’ia lehtësojnë Kosovës anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Vetë aplikimi ka qenë një moment shumë i domosdoshëm dhe unë mendoj se ka qenë hap i duhur pavarësisht se ka pasur rezistencë nga disa vende. Nuk duhet harruar që ky proces ka filluar në një mënyrë në vitin 2012 dhe ju e mbani në mend se Kosova është anëtarësuar pa fusnotë në Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës në nëntor të vitit 2013, pastaj në 2014 në Komisionin e Venedikut. Kjo ka qenë një strategji e menduar mirë që përmes anëtarësimit anësor në këto dy organizata të Këshillit të Evropës të hapet porta. Në përgjithësi duhet pranuar se kanë qenë dy momente të rëndësishme - këto dy anëtarësime dhe elementi tjetër thelbësor që e ka shfrytëzuar qeveria mirë ka qenë përjashtimi i Rusisë pas invazionit në Ukrainë”, ka thënë Syla.

“Ju e dini se për shkak të madhësisë, Rusia ka pasur përfaqësim më të madh në numër në Asamble dhe përjashtimi i saj ka qenë një moment shumë i volitshëm për Kosovën. Mendoj se është një lajm pozitiv sepse do të ketë ndikim të rëndësishëm për Kosovën dhe disa procese tjera, duke përfshirë edhe Gjykatën Speciale”.  

Por Ukshini, që është edhe mësimdhënës i Historisë së Marrëdhënieve Ndërkombëtare, nuk e përjashton mundësinë që Kosovës t’i vihen parakushte.

“Unë do doja që të mos ketë asnjë kushtëzim dhe do të isha shumë i lumtur që Kosova të pranohet sikur që dëshiroja të ndodhte edhe në vitin 2015 në UNESCO. Por zotimi me shkrim nga tre liderët e Kosovës mund të përkthehet mbase në kompromise me vendet mosnjohëse që unë mendoj se nuk është fer të ndërlidhet me procesin e dialogut në Bruksel. Nëse ndërlidhet mund të ndodhë që të kushtëzohet vendimi i Këshillit të Ministrave derisa të shohin ndonjë shenjë se ka ecur çështja e Asociacionit”, ka deklaruar Ukshini.

Ai shton se mund të përsëritet skenari me demarkacionin dhe liberalizimin e vizave.

“Nuk përjashtohet mundësia, por nuk do të ishte fer, nuk do të ishte një proces korrekt që anëtarësimi të ndërlidhet derisa të formohet Asociacioni. Ky është një proces krejt tjetër, që ka dalë nga rezoluta e vitit 2010 që nuk ka të bëjë me çështjen e anëtarësimeve. Nëse ishim nisur nga ky parim, atëherë edhe proceset e tjera do të mund të ishin kushtëzuar në të kaluarën sikurse anëtarësimi në Fondin Monetar Ndërkombëtar, në BERZh. Pra nuk do të ishte fer që të ndërlidhet ky proces me çështjen e Asociacionit ose çfarëdo marrëveshje tjetër”, ka potencuar Syla.  

Para se kalonte raporti i raportueses për Kosovën, Dora Bakojanis, ndihmëssekretari amerikan për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, James O’Brien, deklaroi se deri në votimin e Këshillit të Ministrave, Kosova duhet ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Por në rekomandimin e Bakojanis, Asociacioni përshkruhet si obligim pas anëtarësimit.

Me 31 vota për, 4 kundër dhe 1 abstenim, Komisioni për Çështje Politike e ka miratuar javën e shkuar opinionin e raportueses për Kosovën, Dora Bakojanis, e cila e rekomandon Këshillin e Evropës që ta ftojë Kosovën për t’u bërë anëtare.

Tani çështja i kalon Asamblesë Parlamentare, e cila do të mblidhet më 16 prill. Nëse opinioni kalon edhe në këtë instancë, atëherë vendimmarrja finale i mbetet Këshillit të Ministrave të vendeve anëtare që do të takohen në maj të këtij viti.

Kosova e ka dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj të vitit 2022, derisa më 24 prill 2023 aplikacioni iu përcoll për konsultim sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Evropës.

Nga 46 shtete anëtare sa janë në Këshillin e Evropës, për t’u anëtarësuar Kosovës i duhet mbështetja prej dy të tretave. 

Nga ana tjetër, Serbia është duke vazhduar fushatën për ta penguar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, ka thënë të hënën për mediat serbe se shteti që përfaqëson ndodhet nën presion të madh nga vendet perëndimore të cilat, sipas tij, duan ta bëjnë Kosovën pjesë të organizatave ndërkombëtare.

“Vendi ynë është në një situatë të rëndë. Shtytja politike e Kosovës në organizatat ndërkombëtare vazhdon dhe për këtë përdoren mekanizmat ndërkombëtarë”, ka thënë ai.

Kjo qasje e Serbisë është në kundërshtim me marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe Ohër, sipas të cilave asnjëra palë nuk duhet ta pengojë njëra-tjetrën për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare.