Arbëri

“Qeveria po mbështet shkeljet ndaj të drejtave të grave”, protestë për Ligjin për Punë

Ndertesa e Qeverise

Forumi Ekonomik i Grave ka protestuar të hënën para objektit të Qeverisë së Kosovës, me kërkesë që të rikthehet në Kuvend Ligji për Punën nga Kalendari Legjislativ.

Drejtoresha e Iniciativës Kosovare për Stabilitetit, Brikena Hoxha, është shprehur se shtyrja e miratimit të amandamentimit të këtij ligji “nënkupton se Qeveria po mbështet vazhdimin e shkeljeve të të drejtave të grave dhe burrave”.

“Gjatë fushatës elektorale, ju keni deklaruar se mirëqenia sociale do të ishte një ndër prioritetet kryesore, por, ende nuk keni adresuar asnjë nga çështjet më themelore të mirëqenies dhe barazisë në Kosovë. Shtyrja e miratimit të amendamenteve të këtij ligji të rëndësishëm, nënkupton se Qeveria e Kosoves po mbështet drejtpërdrejt vazhdimin e shkeljeve të të drejtave të grave dhe burrave. Ne kërkojmë që të ndërmerrni veprime urgjente brenda 7 ditve, përndryshe do të reagojmë edhe me metoda të tjera,” ka thënë Hoxha.

Kjo është hera e dytë që Forumi i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati, të veprojnë “urgjentisht” për këtë çështje, derisa të hënën u tha se nesër s’ka lëvizje para, do të reagohet edhe me metoda të tjera.

Koordinatorja e Forumit Ekonomik të Grave, Saxhide Mustafa, ka deklaruar se po e shqyrtojnë të takohen me odat ekonomike, shoqatat e biznesit e sindikata për ta quar më tutje këtë ligj.

“Po besojmë se qeveria do të reagojë pas dy thirrjeve tona që kemi bërë gjatë këtij viti. Nëse ata nuk reagojnë ndaj thirrjes tonë ne do të intensifikojmë takimet tona me odat ekonomike, me shoqatat e biznesit, sindikatat për ta quar me tutje këtë ligj. Në letrën që kemi dërguar për herë të dytë tek kryeministri i potencoj rëndësinë e këtij ligji për t’u sjellë në diskutim publik dhe për t’u aprovuar gjatë këtij viti në Kuvendin e Kosovës,” ka shtuar ajo.

Ky ligj është në proces ndryshimi që nga viti 2018.

Edhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK) ka shprehur shqetësimin e saj të thellë ditë më parë lidhur me largimin e Ligjin të Punës nga Programi Legjislativ, veçanërisht duke pasur parasysh ndikimin e këtij ligji në jetën e qytetarëve dhe në tregun e punës.

Reagim për këtë çështje ka pasur edhe nga organizata joqeveritare në Kosovë./Ksp