Qeveria e Kosovës u është përgjigjur deklaratave të zëdhënësin e BE-së, Peter Stano, i cili të martën ka deklaruar se nga autoritetet kosovare ende nuk kanë marrë një raport për rezultatin e hetimeve lidhur me sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka thënë se si Qeveri, Bashkimit Evropian ia kanë dorëzuar një raport 48-faqësh.
Ai ka thënë se nëse Stano e ka fjalën për raportin që duhet të përgatitet nga prokuroria e vendit, atëherë kjo është një çështje për të cilën duhet të kërkohet përgjigje nga vetë ky institucion.
“Si Qeveri e Republikës së Kosovës, brenda kompetencave tona, kemi përpiluar një raport 48-faqësh në lidhje me sulmin terrorist dhe paramilitar, të cilin ia kemi dorëzuar Bashkimit Evropian dhe secilit shtet anëtarë qysh vitin e kaluar. Këtë informacion besoj që zëdhënësi Stano duhet ta ketë. Nëse ai në deklaratat e tij të vazhdueshme e ka fjalën për raportin që duhet të përgatitet nga prokuroria e vendit, atëherë kjo është një çështje për të cilën duhet të kërkojmë përgjigje nga ky institucion”, ka deklaruar Kryeziu.
Kryeziu ka pasur kritika për Prokurorinë e Kosovës dhe BE-në, duke thënë se edhe nëntë muaj pas sulmit nuk ka masa ndaj organizatorit të sulmit Milan Radoiçiq dhe Serbisë.
“Për ne, mbetet tejet shqetësuese dhe e pakuptimtë që edhe pas 9 muajve, në njërën anë nuk ka aktakuzë nga prokuroria e vendit për Milan Radoiçiq dhe në anën tjetër bashkësia ndërkombëtare, përfshirë Bashkimin Evropian, nuk ka ndërmarrë masa ndaj Serbisë, përkundër fakteve që dëshmojnë përfshirjen e saj në sulmin e 24 shtatorit të vitit 2023. Rikujtojmë që Radoiçiq vazhdon të mbetet i lirë dhe rrezik potencial i vazhdueshëm për sigurinë dhe paqen në rajon”, ka thënë Kryeziu.
Stano të martën ka thënë se BE-ja është në pritje të rezultateve të hetimeve për këtë incident, për të parë se çfarë qëndrimi të marrë. Dhe raportin për hetime, sipas tij, duhet ta bëjnë autoritetet relevante të Kosovës pasi ngjarja ka ndodhur në territorin e Kosovës.