Në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut është konfirmuar qëndrimi i shprehur me një vendim para një viti për ta hapur urën qendrore të Ibrit. Kryesuesi Nexhat Uglanin ka thënë se u takon institucioneve qendrore ta zbatojnë vendimin. Por, në Qeveri nuk dhanë një datë për hapjen e urës që lidh qytetin e ndarë etnikisht.
Autoritetet qendrore të Kosovës nuk kanë dhënë një datë për hapjen e Urës së Ibrit, ndonëse kanë vlerësuar se vendimi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut për ta marrë këtë veprim duhet zbatuar.
Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, ka thënë se zbatimi i vendimit të para një viti është i ndërlidhur me situatën politike e të sigurisë.
“Ka qenë vetëm çështje e sigurisë dhe ndjeshmërisë politike dhe është pritur për një moment të përshtatshëm kur çështja apo mundësia e tensionimit të situatës të jetë e tejkaluar. Siç mund ta dini, situata në veri ka pësuar ndryshim rrënjësor për të mirë, potenciali për trazira është zvogëluar deri në minimum për të mos thënë që është inekzistent dhe për të mos thënë se mbetet vetëm çështje kohe se kur do të zbatohet vendimi”, ka thënë Vokrri.
E, kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut ka theksuar se zbatimi i vendimit i takon nivelit qendror.
“Në problemin e hapjes së urës është e kyçur edhe bashkësia ndërkombëtare sepse është prezent. Sigurisht janë kompetenca të MPB-së dhe Qeverisë përmes dialogut edhe me bashkësinë ndërkombëtare, por sigurisht ne s’mundemi dhe nuk kemi të drejtë si Kuvend mbasi e kemi pru vendimin, hapat konkretë duhet me i marrë Qeveria”, është shprehur Nexhat Uglanin.
Çështja e hapjes së Urës së Ibrit është diskutuar edhe në mbledhjen e Kuvendit komunal këtë të premte.
Asamblistja Aida Ferati-Doli ka thënë se vetëm është konfirmuar qëndrimi mbi këtë çështje, për të cilën theksoi se është interes e kërkesë e qytetarëve të Mitrovicës.
Kjo asambliste ka shprehur shpresën që ura të hapet sivjet.
“Një datë nuk është që e dimë ose që e kemi, presioni është i madh prej qytetarëve pa dallim të etnive, sepse i bashkon dy pjesët e qytetit shumë të afër.. nuk është qe kemi ndonjë datë por që presioni i qytetarëve në veri të vendit dhe të jugut është mjaft i madh”, ka deklaruar ajo.
Mbledhja e Kuvendit Komunal, në të cilën është folur edhe për hapjen e urës, ka qenë pjesërisht e hapur për media. Ajo u mbyll me kërkesë të kryesuesit Nexhat Uglanin, me arsyetimin për ta evituar acarimin e situatës pas reagimeve nga një përfaqësues politik.