Arbëri

Qeveria ngrin asetet financiare të bankave e të individëve të Rusisë

Përgjigjes së përbashkët perëndimore ndaj Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës, të premten i është bashkuar edhe Kosova. Qeveria në mbledhjen e saj ka miratuar sanksione ekonomike e financiare kundër Moskës. Kryeministri Kurti deklaroi se sulmet nga Rusia janë sfidim i rendit dhe i paqes së botës, si dhe cenim i sigurisë ndërkombëtare

SHBA-së e Evropës në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, si përgjigje ndaj pushtimit të Ukrainës, i është bashkuar edhe Kosova. Në mbledhjen e kabinetit qeveritar, të mbajtur këtë të premte, ku u miratuan sanksione ekonomike e financiare kundër shtetit rus, nuk mori pjesë ministri nga Lista Serbe, Goran Rakiq.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, sqaroi se çfarë përfshijnë këto sanksione të vendosura nga Këshilli i BE-së dhe SHBA-ja.

“Sanksionet ekonomike dhe financiare nga Këshilli i BE-së dhe SHBA-ja: Sanksionet përfshijnë ngrirjen e aseteve të bankave, institucioneve financiare dhe individëve, ndalimi i qasjes së tyre në tregje financiare dhe masa të tjera restriktive që shenjtërojnë ndërmarrjet e rëndësishme ruse, elitat dhe akterët politikë të përfshirë në marrjen e vendimit për invadimin rus në Ukrainë. Individët, gjithashtu, do t’i nënshtrohen ndalimit të udhëtimit apo transitit në vendet që i zbatojnë këto sanksione”, u shpreh ajo.

Para se të fillonte votimi i kësaj pike të vetme, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se me këto veprime Kosova u bashkohet vendeve partnere dhe se Rusia synon të kthehet në perandori.

“Kjo Rusi që po shohim sot nuk është një Rusi e re, por dhe një paralajmërim se nuk dëshiron të jetë një Rusi e re, në fakt ajo dëshiron të jetë prapë e vjetër, më e vjetër sesa Bashkimi Sovjetik, pra të jetë perandori ruse. Prandaj përgjigja e botës perëndimore dhe demokratike duhet të jetë e unifikuar dhe e vendosur”, u shpreh ai.

Kurti tutje ka thënë se sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës është cenim i sigurisë së përbashkët ndërkombëtare, derisa ka shtuar që kjo është hera e dytë që Kosova i vë sanksione Rusisë për shkak të agresionit ndaj shtetit të Ukrainës.

“Kemi tregues edhe të orientimit të fqinjit tonë në veri të paralajmëruara më herët, përafërsisht në të njëjtën kohë kur Kosova ishte një nga 16 shtetet mikpritëse në mesin e 27 vendeve pjesëmarrëse të ushtrimeve ushtarake të NATO-s të kryesuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ‘Defender Europe 21’, Serbia dhe Rusia zhvillonin ushtrime të përbashkëta ushtarake të quajtura ‘Joint Response 21’. Pra, kur Kosova dhe aleatët e saj stërviteshin se si të jenë mbrojtësit e Evropës, fqinji ynë verior dhe Rusia përgatiteshin për kundërpërgjigje të përbashkët dhe për atë që ata e quajnë mburojë sllave. Le të jetë ky një rikujtim për të gjithë”, ka thënë ai.

Gjatë ditës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, nënkryetaren e PDK-së, Vlora Çitaku, dhe nënkryetarin e AAK-së, Muharrem Nitaj. Në një njoftim nga Presidenca thuhet se Osmani i ka informuar përfaqësuesit e partive politike për situatën aktuale të sigurisë në vend pas zhvillimeve të fundit të krijuara nga agresioni i Federatës së Rusisë kundër Ukrainës dhe për masat e ndërmarra nga Kosova.

“Në këto takime, presidentja Osmani i ka informuar përfaqësuesit e partive politike për situatën aktuale të sigurisë në vend pas zhvillimeve të fundit të krijuara nga agresioni i Federatës së Rusisë ndaj Ukrainës. Ajo, po ashtu, i informoi partitë opozitare për masat e ndërmarra nga institucionet e Kosovës, veçanërisht ato të sigurisë, si dhe për koordinimin e plotë me partnerët ndërkombëtarë. Presidentja ka falënderuar partitë opozitare për bashkëpunimin, si dhe për qëndrimin e unifikuar në përballje me situatën e krijuar”, shkruhet në njoftimin e Presidencës.

E në përkrahje të Ukrainës, disa qytetarë, të premten, kanë protestuar para Zyrës Ndërlidhëse të Rusisë në Prishtinë.

Marigona Shabiu, nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR), tha se populli i Kosovës e bashkëndien këtë situatë, për shkak të luftës.

“Duke qenë se në Kosovë kemi përjetuar efektet shkatërrimtare të luftës, pasojat e së cilës vazhdojmë t’i vuajmë edhe sot, si shoqëri dhe si shtet duhet të dënojmë fuqishëm pushtimin e Ukrainës nga Rusia, dhe në të njëjtën kohë të bashkëndiejmë me njerëzit në Ukrainë për vuajtjet e tyre në këtë kohë shumë të vështirë. Përmes kësaj proteste, ne i bëjmë thirrje Rusisë që t’i ndërpresë menjëherë të gjitha sulmet dhe t’i tërheqë trupat e saj nga territori i Ukrainës”, ka thënë ajo.