Anëtarësimi në KiE

Qeveria ngre shqetësimin në Bruksel për heshtjen ndaj veprimeve të Serbisë

Te ndërmjetësit e dialogut Kosovë-Serbi, zyrtarët qeveritarë kanë shprehur shqetësimin për shkeljen e marrëveshjes nga Beogradi zyrtar, nëpërmjet themelimit të ekipit që do të lobojë kundër anëtarësimit në Këshill të Evropës. Në Qeveri theksuan se shqetësimin e kanë deklaruar edhe për heshtjen e ndërkombëtarëve. E analistët politikë konstatuan se veprimi i Serbisë përbën shkelje të marrëveshjes, por nuk presin ndonjë efekt nga lobimi kundër anëtarësimit të Kosovës

Qeveria i ka kërkuar Bashkimit Evropian që ta sqarojë dhe ta arsyetojë hezitimin për t’i reaguar Serbisë, pas vendimit të këtij shteti për ta shkelur sërish marrëveshjen e Brukselit nëpërmjet krijimit të ekipin lobues kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.

Në një përgjigje për KOHËN, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, tha se për këtë heshtje ndërkombëtare, është ngritur shqetësimi edhe në komunikimin me ndërmjetësin e dialogut, Miroslav Lajçak.

“Ajo se çka po bën Serbia është shkelje edhe e shkronjës, edhe e frymës së marrëveshjes. Dhe kjo nuk është hera e parë. Hezitimin e serishëm të Bashkimit Evropian që të luajë rolin e arbitrit që i takon për marrëveshjen për të cilën jemi dakorduar në kryeqytetin e Bashkimit Evropian, pikërisht nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, më së mirë është ta sqarojë dhe arsyetojë Bashkimi Evropian. Në komunikimet tona të brendshme me ndërmjetësin kemi ngritur shqetësimet për veprimet e Serbisë dhe heshtjen ndërkombëtare ndaj këtyre veprimeve”, ka thënë Kryeziu.

Në Bashkimin Evropian kanë hezituar të thonë se Serbia po e shkel Marrëveshjen e Brukselit me anë të krijimit të ekipit të posaçëm që do të lobonte kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Formimin e këtij ekipi Serbia e bëri në kundërshtim me nenin e marrëveshjes që thotë qartë se ky shtet nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. I pyetur për këtë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, dha vetëm përgjigje të përgjithësuara.

Njohësi i rrethanave politike, Akri Çipa, konstaton se veprimi i Serbisë përbën shkelje të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit.

“Vetë veprimi bie desh me gjithë procesin normalizues, bie ndesh me procesin e Brukselit dhe me qëndrimin konstruktiv që i është kërkuar Serbisë dhe normalisht duhet të ketë masa të drejtpërdrejta nga partnerët ndërkombëtarë, nga ndërmjetësuesit, zoti Borell dhe zoti Lajçak, për të tërhequr vëmendjen e Serbisë dhe për të kërkuar që të rikthehet në obligimet që ka ndërmarrë”, ka thënë Çipa.
E Arbresha Loxha, drejtoreshë ekzekutive e Grupit për Studime Politike dhe Juridike, ka theksuar se nëse Bashkimi Evropian nuk e paralizon Serbinë, shpërfaqë qasje asimetrike ndaj palëve në dialog.
“Bashkimi Evropian duhet të jetë shumë më i zëshëm, shumë më kritik dhe të tregojë qartësisht për opinionin publik dhe për të dy palët që kjo është shkelje e marrëveshjes së Ohrit dhe për të njëjtën, më së paku, Serbia do të duhej të kritikohej, por ndoshta edhe të penalizohej më së miri. Realisht, ne kemi konsideruar se në përgjithësi shkeljet që ia ka bërë Serbia marrëveshjes së Ohrit, janë trajtuar lehtësisht dhe me tone të buta nga BE-ja, e që kjo e bën pastaj edhe qasjen e BE-së asimetrike karshi palëve në dialog”, ka thënë Loxha, sipas së cilës Kosova është subjekt i sanksioneve të BE-së që nuk ndërlidhen direkt me marrëveshjen, e ndërkaq Serbia vazhdon të amnistohet, ndonëse thotë se përveç këtij veprimi të fundit, marrëveshjen e ka shkelur edhe me sulmin në Banjskë.

Me gjithë fushatën e Serbisë, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë autoritetet se janë duke u angazhuar intensivisht në sigurimin e mbështetjes për votim të suksesshëm më 16 prill në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe për përfshirje në agjendë dhe votim të suksesshëm në Ministerialin e Këshillit të Evropës në muajin maj. Ai është shprehur optimist se edhe dy fazat e ardhshme do të mbyllen me vlerësime pozitive ndaj Kosovës.

“Lobimi i deritanishëm ka rezultuar me sukses për faktin që Opinioni i miratuar nga Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci nuk parasheh parakushte deri në anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës. Duke e pasur parasysh se që nga viti 1951, kur APKiE jep Opinion mbi anëtarësimet e shteteve në KiE, Komiteti i Ministrave nuk ka marrë vendim ndryshe nga Opinioni i APKiE, ne besojmë që edhe dy fazat e ardhshme do të duhej të përmbylleshin me sukses këtë vit”, ka thënë Kryeziu.

Edhe njohësit politikë nuk presin që lobimi i Serbisë të ketë ndonjë efekt.

“Nga pikëpamja formale mund të flasim dhe të debatojmë nëse do të jetë efektive për shkak se, vjen vonë në fakt dhe është një grup pune që formohet kur aplikimi i Kosovës ka ecur në rrugë të ndryshme burokratike dhe ka ndërmarrë edhe veprime politike Këshilli i Evropës për të nisur procesin e përfshirjes së Kosovës si shtet anëtar me të drejta të plota. Mund të ketë një dëshirë për konsum të brendshëm publik më shumë sesa për të pasur efektivitet kundrejt Kosovës në formë reale”, ka thënë Akri Çipa.

Për anëtarësimin e plotë të Kosovës në Këshillin e Evropës do të votohet në Asamblenë Parlamentare në prill dhe në Komitetin e Ministrave në maj.