Arbëri

Qeveria në ikje ia dizajnon pushtetit të ri arkitekturën e reformës në drejtësi

Qeveria në ikje ia ka dizajnuar pushtetit të ri arkitekturën e reformës në sektorin e sundimit të ligjit. E ka bërë këtë nëpërmjet një dokumenti që është vënë në diskutim publik, në kohën kur kanë mbetur më pak se një muaj deri në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, të cilat, sipas sondazheve, do të fitohen nga Lëvizja Vetëvendosje në opozitë.

Draftin e Strategjisë për Sundimin e Ligjit e ka sponsorizuar Ministria e Drejtësisë. Në këtë institucion e kanë arsyetuar hedhjen në konsultim publik të këtij drafti, duke thënë se puna e nisur prej kohësh është finalizuar tani.

“Puna e Ministrisë kryesore në përpilim të Strategjisë ka përfunduar në muajin nëntor, ndërkaq afërsisht dy muaj kemi punuar në harmonizim të Planit të veprimit dhe pjesës narrative me komentet dhe inputin e hisedarëve kryesorë të këtij procesi: Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës, Akademia e Drejtësisë, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Agjencia Kundër Korrupsion”, shkruhet në një përgjigje të Ministrisë.

“Pas përfundimit të këtyre konsultimeve të brendshme ka qenë mendim dhe qëndrim i përbashkët i Ministrisë, institucioneve të Gjyqësorit, si dhe të gjithë partnerëve ndërkombëtarë që Projekt-Strategjia është e gatshme të vihet në diskutim publik”.

Por në shoqërinë civile e kanë kritikuar Qeverinë në këtë pikë.

Arbëresha Loxha, drejtore ekzekutive e Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GSJP), rikujton se në të kaluarën cilado parti a koalicion që ka ardhur në Qeveri, ka kthyer shumë shpesh mbrapsht reformat, të cilat janë nisur nga pushteti paraprak, duke i kthyer në pikën zero, duke mos i trajtuar në raste të caktuara me seriozitetin e duhur apo duke i lënë fare në sirtarë.

“E gjithë kjo na bën të kuptojmë që çfarëdo reforme e rëndësishme, e cila është nisur, në raste të caktuara u është humbur kuptimi për shkak të krizave politike në vend dhe ndryshimit të qeverive”, thotë Loxha.

Sipas saj, një qasje e tillë e Qeverisë nuk është serioze.

“Qasja e Qeverisë së tanishme për të çuar përpara ose për të vënë në konsultim publik një iniciativë aq të rëndësishme, në një kohë kur është në detyrë, nuk është qasje serioze, duke mos pasur asnjë garanci që Qeveria e ardhshme do ta çojë përpara të njëjtën”, ka shtuar ajo.

Në fillim të vitit 2020, kur Qeveria është drejtuar nga Albin Kurti, nismë kryesore e ndërmarrë ishte vettingu në sistemin e drejtësisë. Një grup pune që në përbërje kishte vetëm ekspertë, ishte ndryshuar me ta nisur mandatin Qeveria që e pasoi – ajo e drejtuar nga Avdullah Hoti. Bashkë me të ndërroi edhe qasja për vettingun.

Tani, bazuar në draftin e Strategjisë, do të ndërtohet një sistem i pavarur që kryen kontrolle të vazhdueshme dhe të rregullta të integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ky sistem që dokumenti i referohet si vetting, do të përfshijë gjithë spektrin e kontrollit efektiv të integritetit.

“Në aspektin strukturor planifikon ndërtimin e një njësie të pavarur, të përbërë nga ekspertë të specializuar për hetime dhe vetting, të përzgjedhur me ekspertizë ndërkombëtare e përmes procedurave të veçanta. Në aspekt ligjor do të mundësojë zgjerimin e spektrit të të dhënave që mblidhen për kandidatët e vettingut, duke mundësuar kështu mbledhjen e të dhënave jo vetëm nga regjistrat publikë, por edhe informatave të tjera financiare dhe shëndetësore për kandidatët”, thuhet në dokument. “Gjithashtu do të garantojë mbrojtjen ligjore të të dhënave të kandidatëve, si dhe mjetet juridike në dispozicion për këtë”, shkruhet në draft.

Në aspektin kohor të këtij spektri, sipas draftit të Strategjisë, do të mundësohet që kontrolli i integritetit apo vettingu të kryhet në baza të rregullta dhe të vazhdueshme. Aty parashihet që secili gjyqtar apo prokuror të kalojë nëpër këtë proces çdo pesë vjet, dhe çdoherë që një i tillë transferohet apo avancohet në detyrë.

Arbëresha Loxha argumenton pse për nisma, sikur është Strategjia për sundimin e ligjit kërkohet konsensus.

“Ne konsiderojmë që reformat e rëndësishme, siç janë reformat në sistemin e drejtësisë, do të duhej të bëheshin me një pajtueshmëri të gjerë të spektrit politik, në mënyrë që të sigurohemi që në të ardhmen të njëjtat nuk mbesin në sirtarë ose nuk kthehen në pikën zero, por ju sigurojmë një qëndrueshmëri sepse reformat e tilla aq të rëndësishme natyrisht që marrin shumë kohë dhe kërkojnë një angazhim më afatgjatë të të gjitha institucioneve përgjegjëse”, thotë Loxha.

Procesi i hartimit të Projektit të Strategjisë për Sundimin e Ligjit ka nisur në vitin 2016, kur me një vendim qeveritar ka filluar procesi i rishikimit funksional për Sektorin e sundimit të ligjit në Kosovë. Në bazë të këtij vendimi ishin hartuar termet e referencës dhe ishte paraparë që ky proces të finalizohet me hartimin e strategjisë për këtë sektor. Pas një viti, përkatësisht në dhjetor të 2017-s, Qeveria ka bërë plotësimin dhe ndryshimin e vendimit paraprak, me anë të të cilit është ndryshuar përbërja e anëtarëve të Komitetit Drejtues të këtij procesi dhe puna ka vazhduar ashtu siç është përcaktuar sipas vendimit të parë të Qeverisë.

Në funksion të hartimit të dokumentit mbështetja më e madhe financiare është bërë nga ndërkombëtarët, por jo pak para ishin buxhetuar edhe nga shteti.

“Ministria e Drejtësisë në kuadër të Programit të saj buxhetor ka paraparë gjatë vitit 2019 për rishikimin funksional të Sektorit të sundimit të ligjit shumën prej 350,000.00 eurove, ndërsa në vitin 2020 kanë qenë në buxhet 230,000.00 euro. Në këta dy vjet Ministria e Drejtësisë ka shpenzuar shumën prej vetëm 16,468.13 eurosh në vitin 2019 dhe 4,385.45 euro në vitin 2020”, thuhet në një përgjigje të Ministrisë së Drejtësisë. “Pra, shihet se për këtë proces është shpenzuar një shumë e vogël e mjeteve nga buxheti i RKS pasi që investimi në këtë proces ka qenë nga ndihma e jashtme, respektivisht nga partnerët zhvillimorë që e kanë përkrahur rishikimin funksional përmes projekteve apo programeve të tyre. Në mbështetjen e këtij procesi kanë qenë të përfshirë kryesisht: Zyra e BE-së në Kosovë, Ambasada e ShBA-së në Kosovë, Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë dhe USAID-i”.

Tani kur Drafti i Strategjisë është finalizuar, në Ministrinë e Drejtësisë kanë theksuar se Qeveria e ardhshme do ta miratojë atë edhe për faktin që në dokument kanë punuar edhe qeveritë e mëparshme.

“Projekt-Strategjia do të vazhdojë të qëndrojë në konsultime publike deri pas zgjedhjeve”, thuhet në përgjigje. “Kjo do të thotë se miratimi final, edhe ashtu, do të bjerë në mandatin e Qeverisë së radhës, por nuk besojmë që me ndërrimin e Qeverisë, politikat e drejtësisë do të jenë në kundërshtim me ligjin”.

Me politikat e ndërmarra që janë listuar në Draftin e Strategjisë synohet rikthimi i besimit të qytetarëve në drejtësi. Aty theksohet se ky besim është zbehur, si rezultat i sfidave në llogaridhënie, efikasitet, profesionalizëm e integritet të sistemit gjyqësor e prokurorial.

“Si rezultat i kësaj, por edhe të metave të ngjashme të identifikuara në institucionet përtej gjyqësorit dhe prokurorisë, lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar e shpëlarjes së parasë deri tani ka prodhuar rezultate jo të kënaqshme”, shkruhet në dokument. “Të gjitha këto sfidojnë arritjen e objektivit gjithëpërfshirës strategjik dhe prandaj hapat që duhen të ndërmerren drejt arritjes së tij kërkojnë që të jenë po kaq gjithëpërfshirës”.

Kjo synohet të arrihet përmes arritjes së katër objektivave strategjike të cilat, sipas dokumentit, janë të orientuara drejt saj: e para, fuqizimi i sistemit gjyqësor dhe prokurorial; e dyta, fuqizimi i drejtësisë penale; e treta, fuqizimi i qasjes në drejtësi ; dhe, e katërta, fuqizimi i luftës antikorrupsion.