100 euro shtesë do t’i ndajë Qeveria këtë fundvit për pensionistët dhe për fëmijët. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se shtesat janë mirënjohje për kontributin e pensionistëve dhe investim te fëmijët. Nga skema e shtesave për fëmijë, përfitojnë mbi 400.000 fëmijë, sipas Qeverisë. E ky vendim është kritikuar ashpër nga partitë opozitare, duke e ndërlidhur atë me fushatën zgjedhore që është në prag
Qeveria e Kosovës ka njoftuar të dielën se ka marrë vendim që fëmijëve deri në moshën 16-vjeçare dhe pensionistëve t’ua ndajë nga 100 euro shtesë këtë fundvit.
Kryeministri Albin Kurti në një konferencë për media, ka thënë se këto shtesa janë njohje e kontributit që kanë dhënë për vite me radhë pensionistët, si dhe investim për të ardhmen e fëmijëve.
Nga opozita kanë reaguar ashpër për këtë vendim të marrë në prag të fushatës.
E Kurti ka thënë se kjo nuk është dhuratë.
“Të dashur fëmijë, të gjithë ju që jeni prej moshës 0 deri në 16 vjeç dhe që jeni pranues të shtesave mujore për fëmijë, do t’i përfitoni edhe sivjet nga 100 euro secili. Kjo nuk është vetëm dhuratë e fundvitit nga shteti juaj, por është investim në mirëqenien e të gjithë fëmijëve pa dallim. Prandaj edhe ju, të dashur prindër, t’i rrisni me shëndet, por edhe me dashurinë për shtetin e tyre...Në fund të vitit po ndajmë mbështetje shtesë nga 100 euro apo siç disa kanë filluar ta quajnë, pension të 13-të për të gjithë pensionmarrësit të cilët kualifikohen”, ka thënë Kurti në konferencë.
E ministri i Financave, Punës dhe Transferove, Hekuran Murati, ka paralajmëruar se pagesat do të procesohen shumë shpejtë.
“Nuk do të ketë nevojë për aplikim, por do të mundohemi gjatë kësaj jave, dhe meqenëse e kemi një ditë që është pushim gjatë kësaj jave, do të mundohemi që të bëjmë të gjitha përgatitjet teknike në mënyrë që të ekzekutohen pagesat këtë javë”, ka thënë Murati.
Murati ka folur edhe për mosrespektimin e Ligjit për Pagë Minimale nga bizneset e ndryshme.
Muajin e kaluar KOHA ka raportuar se në bazë të të dhënave të Administratës Tatimore, 16.000 punëtorë me orar të plotë në tetor kanë marrë më pak sesa paga minimale prej 350 eurosh bruto e miratuar nga Qeveria në gusht.
I pyetur lidhur me zbatimin e pagës minimale, ministri Murati u bëri thirrje punëtorëve që t’i raportojnë këto shkelje në ATK dhe në Inspektoratin e Punës.
“Me vendimin e ri, përveçse paga minimale bruto për tërë muajin është përcaktuar edhe paga për orë pune. Mund të ketë raste të tilla që të ketë orar të kufizuar të punës, pra orar të përgjysmuar, prandaj edhe mund të jetë në këtë nivel, por, megjithatë, i inkurajoj të gjithë punëtorët: tashmë ka mekanizma të raportimit edhe anonim, qoftë në Administratën Tatimore, qoftë në Inspektoratin e Punës dhe jemi të gatshëm që të ndërmarrim të gjithë hapat dhe të gjitha masat e nevojshme për t’u siguruar që ky vendim të respektohet, por u takon atyre fillimisht që u shkelet kjo e drejtë të na njoftojnë, në mënyrë që ne të jemi më efikas në kryerjen e punës sonë”, ka deklaruar Murati.
Ministri ka theksuar se si qeveri janë të përkushtuar që të shtyjnë përpara të drejtat e punëtoreve të sektorit privat.
Ai ka njoftuar po ashtu, se do të krijohet një institut i ri dhe një fond për pushim të lehonisë dhe prindëror.
E menjëherë pas konferencës ku u paraqitën Kurti e Murati, ata por edhe Qeveria në tërësi janë kritikuar nga partitë opozitare.
Vendimi është ndërlidhur me zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt, por edhe me shumën që sipas tyre ngjan me lëmoshë.
Arben Mustafa, anëtar i Kryesisë së PDK-së, ka thënë se politikat e këtilla janë përpjekje për ta fshehur dështimin e Qeverisë në ekonomi.
“Ashtu siç edhe prite,j Qeveria e Kosovës ndërmori vendimin e radhës për ta mbuluar dështimin katërvjeçar përmes shpërndarjes së ndihmave të njëhershme prej 100 eurosh. Tanimë e kemi parë se ndihma të tilla të njëhershme nuk ofrojnë asnjë përmirësim të qëndrueshëm në situatën ekonomike të familjeve kosovare”, ka thënë Mustafa, që është edhe kandidat për deputet nga radhët e PDK-së.
E Lidhja Demokratike e Kosovës në reagimin e saj ka thënë se 100 euro nuk mjaftojnë as për ta paguar energjinë elektrike.
“Sepse kjo që pamë sot nga kjo qeveri nuk është asgjë më shumë se shenjë e panikut dhe mungesë e vizionit nga një udhëheqje e dështuar e cila nuk ka implementuar asgjë të qëndrueshme në 4 vjet qeverisje. Qytetarët janë lodhur nga qeverisja e paaftë, dhe ata po na e tregojnë çdo ditë se ata duan ndryshim, dhe e duan atë menjëherë!”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Ndaj vendimit për ndarjen e shtesave ka reaguar ish-ministrja e Financave, deputetja nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami.
Ajo e ka quajtur “skemë e korrupsionit publik”.
“Qeveria e cila investimet kapitale në vitin 2024 i ka më të ulëta se në vitin 2017 e 2018, e kanë shti buxhetin në thes të babadimrit dhe kanë dalë me ble vota.
Qeveria e cila gjatë mandatit i ka dyfishu faturat e energjisë elektrike, e ka dyfishu tatimin në pronë, i ka poshtru shërbyesit civilë, i ka fy sindikatat, e ka dëtyru njësinë elitare të Policisë me dalë në protestë, i ka mbetë ushtria pa bukë e policët pa këpuca, i ka maltretu prindërit dy vjet radhazi me blerjen e librave, qeveria në mandatin e së cilës janë rritë çmimet si kurrë më pare, sot me para të taksapagusëve po tenton me ble vota”, ka shkruar ajo në Facebook.
Kanë reaguar edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
“E kam dëgjuar shpesh të thotë se pagat nuk rritën në prag të zgjedhjeve, se ndihmat nuk shpërndahen për vota, por sa pare vlen. Veç vitrat jepen para se të falet Bajrami, po vitrat nuk janë para të taksapaguesve. Do të ishte fisnike sikur të ishte thënë se pensionet dhe shtesat për fëmijë, janë rritur nga 8 euro në muaj, retroaktivisht prej 1 janarit të këtij viti, se kaq bëjnë, po kështu po ja u fali nga 100 euro, ‘no pasaran’!
Nëse do të falësh, faljau nga xhepi yt dhe po i dhe me dorë të djathtë, mos i trego as dorës së majtë! E për paratë e taksapaguesve, lëshojë dorën, atyre u takojnë shumë më shumë se sa kjo vlerë qesharake. Fundja është djersa e tyre!”, ka shkruar zyrtari i AAK-së, Muharrem Nitaj.
Edhe njohësi i integrimeve evropiane, Shenoll Muharremi, e kritikoi vendimin duke thënë se i ka për synim votat në prag të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
“Korrupsion i pastër elektoral: 100 EURO Vota. Të vjen keq që ka ardhur dita të shohësh dikë si Albin Kurti dhe LVV duke shpërndarë paranë e popullit për dy-tri vota më shumë në zgjedhje. Sot kam parë shifrat e tregtisë së Kosovës për muajin e fundit. Plot 473,000,000 euro ishte deficiti apo humbja në mallra për një muaj. Për një orë, humbja gjatë nëntorit arrin 15 milionë euro”, ka thënë Muharremi.
Ndarja nga 100 euro për fëmijët e për pensionistët për fundvit nga Qeveria e Kosovës ka filluar nga viti i kaluar, për çka kryeministri Kurti pati thënë se janë duke e përmbushur një premtim.
“Sikurse vitin e kaluar, edhe sivjet të gjithë fëmijët e moshës 0-16 vjeç e që janë pranues të shtesave mujore për fëmijë, do të përfitojnë nga shtesa e fundvitit në vlerë 100 euro. Kjo pra është hera e dytë që po ndajmë një shtesë të tillë mbështetëse për fëmijët tanë, krahas dyfishimit dhe trefishimit të shtesave mujore për ta që e bëmë në gusht të këtij viti. Përfitues të shtesës prej 100 euro do të jenë gjithashtu edhe pensionistët. Kjo është hera e pestë brenda mandatit tonë që një mbështetje e tillë shpërndahet tek pensionistët tanë, për të cilët krahas shtesave të njëhershme, kemi rritur pensionet dy herë gjatë mandatit, fillimisht pensionin bazik deri në 33% dhe tash së fundmi për 20% për të gjithë kategoritë pensionmarrëse. Kemi pasur performancë të shkëlqyer ekonomike dhe rritje të të hyrave buxhetore. Të mirat dhe rritjen po e ndajmë me qytetarët e për familjet”, ka shkruar Kurti në Facebook.