Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë në fillim të javës se në takimin e fundit në Bruksel i ka radhitur të gjitha strukturat ilegale paralele të Serbisë në Kosovë dhe ka vërtetuar që Serbia nuk ka punuar që t’i shuajë ato. Por, listën me emrat e këtyre organizatave, Zyra e Kryeministrit ka refuzuar t’ia ofrojë KOHËS. Në shoqërinë civile e kritikojnë këtë qasje dhe rikujtojnë se Vetëvendosje sa ishte në opozitë bënte thirrje të mos flitej me Serbinë për adresimin e çështjeve të brendshme, përfshirë shpërbërjen e strukturave ilegale
Zyra e Kryeministrit ka refuzuar ta publikojë listën e strukturave ilegale që Serbia i mban në Kosovë, për të cilat zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë t’i ketë numëruar në takimin e fundit në Bruksel ndërmjet delegacionit që ai e përfaqësonte dhe delegacionit të Serbisë.
Në shoqërinë civile thonë të jetë e dëmshme qasja kur informata që u prezantohen Beogradit e Brukselit, u mbahen fshehtë kosovarëve.
“Qasja e tillë e zëvendëskryeministrit Bislimi ka kundërefekt me qëllimin apo me interesat e Qeverisë së Republikës së Kosovës në raport me Serbinë”, thotë Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD). “Është e pakuptimtë që këto kërkesa të parashtrohen në takim në Bruksel para Serbisë, para Bashkimit Evropian, dhe qytetarët e Kosovës, publiku i Kosovës të mos ketë informata të tilla”.
Kërkesës së delegacionit serb për ta themeluar Asociacionin, Bislimi ka thënë t’i jetë kundërpërgjigjur duke rikujtuar moszbatimin e marrëveshjes që ka të bëjë me shuarjen e strukturave paralele.
“I kam radhitur të gjitha strukturat ilegale paralele të Serbisë në Kosovë, si në politikë, siguri, arsim, shëndetësi, ekonomi dhe financa, dhe kam vërtetuar që me kohë Serbia jo që ka punuar në shuarjen e tyre, por i ka fuqizuar të njëjtat, përfshirë vendimet për emërime të nënshkruara nga individë kyç, si presidenti, kryeministri apo kryetari i Parlamentit serb, dhe problemet me transferimin ilegal të parave për financim të tyre”, pati shkruar Bislimi.
Prej dy ditësh, KOHA ka kërkuar listën e institucioneve ilegale të Serbisë në Kosovë, së cilës i është referuar Bislimi. Zyra e Kryeministrit nuk e ka ofruar atë.
Deri dy vjet më parë, në raporte periodike mbi zbatimin e marrëveshjeve, Qeveria evidentonte të gjitha strukturat paralele që vepronin në Kosovë.
E, krahas kritikës për këtë mungesë transparence, Ehat Miftaraj ia njeh për zmbrapsje qëndrimin që zëvendëskryeministri ka dhënë për strukturat ilegale, pasi thotë se Vetëvendosja që tash ka ardhur në pushtet për vite rresht i ka mëshuar argumentit se për çështje brenda Kosovës nuk ka çka të diskutohet me Serbinë.
“Qeveria Kurti në njëfarë mënyre indirekt po e pranon që për këto çështje është duke biseduar në Bruksel dhe i ka shtruar në tavolinë çështje të cilat janë kompetencë puro, në bazë të Kushtetutës, të institucioneve të Republikës së Kosovës, por që po duhet të diskutohet me një shtet të tretë, në këtë rast siç është Serbia”, thotë Miftaraj. “Kjo është ajo çka nënkupton se sa të jesh në opozitë është lehtë të kritikosh, është lehtë të akuzosh, por kur të vish në pushtet janë rregullat e tjera”.
Një këshilltare e Bislimit i tha KOHËS të dielën se Qeveria e Kosovës do ta shqyrtojë me seriozitet kërkesën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe vetëm atëherë kur të gjitha strukturat paralele të jenë shpërbërë.
Takimi i fundit që Bislimi e pati me delegacionin serb, e në të cilin u shtruan për diskutim edhe çështja e Asociacionit e edhe strukturat ilegale, ishte në funksion të përgatitjes së takimit të dytë të nivelit të lartë politik, i cili të hënën e ardhshme mbahet në Bruksel ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.